MENU
klinika

“Kërcënime, terror…”

Barrikadat në veri/ Pantoviç: Serbët detyroheshin të dilnin

21.04.2023 - 13:24

Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviç, në një intervistë për KosovaPress deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes dhjetëvjeçare të Listës Serbe në këtë komunë.

Ajo ka akuzuar partinë e Goran Rakiçit, ku sipas saj e ka shndërruar veriun si Koreja e Veriut, ku serbët kanë jetuar në terror.

Pantoviç, e cila me profesion është juriste, konsideron se niveli i papunësisë dhe rasteve sociale është i lartë, ndërsa ka akuza edhe për nepotizëm.

Ajo premton se do të ndërhyjë menjëherë duke rikthyer meritokracinë si kriter për punësim në këtë komunë.

Sipas saj, bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe komuniteteve të tjera, është i domosdoshëm dhe në të mirën e të gjithëve.

“Pas dhjetë viteve të udhëheqjes së Listës Serbe, këtij qyteti i duhet ndryshimi… Duhet ndryshim i madh, janë shumë të rinj të papunësuar, ka shumë raste sociale, mbretëron nepotizmi ku punësohen në baza familjare, shoqërore, kështu që këtë dua ta ndryshoj që në fillim, në bazë të asaj që është në mundësitë e mia. Më vonë, natyrisht në marrëveshje me kryeministrin dhe me përgjegjësit e pushtetit, do të punojmë në rregullimin e qytetit, infrastrukturë e të tjera, kështu që të gjitha ngadalë dhe me radhë do t’i bëjmë, por ndryshimet vërtetë janë të domosdoshme”, deklaroi Pantoviç.

Pantoviç, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se të gjithë serbët janë detyruar të zbatojnë urdhrat që vinin nga Lista Serbe, nëse i kërkohej të shkonin në tubime ishin të detyruar të dilnin, gjithashtu nëse iu kërkohej të dilnin në barrikada duhej që serbët të dilnin në barrikada.

“Problemet kryesore të qytetarëve janë se ata kanë jetuar thjeshtë si në Korenë Veriore, sistem një partiak, nën terror. Do të thotë nëse presidenti thotë të gjithë në tubim, atëherë të gjithë duhet të dalin në tubim, të gjithë në barrikada, të gjithë në barrikada. Do të thotë njerëzit kanë qenë të detyruar, janë kërcënuar, kështu që mendoj se njerëzve duhet t’u japim lirinë e të shprehurit dhe të drejtat… Shpresoj se vetëdija njerëzore ka filluar të funksionojë pas dhjetë vite shtypjeje, më në fund njerëzit të kuptojnë se vërtetë ndryshimi është për ta… Ne duhet thjeshtë, duam apo jo, të bashkëpunojmë për të mirën e të gjithë neve, si të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, romëve”, ka thënë Pantoviç.

Pantoviç theksoi se prezenca e Policisë së Kosovës në Zveçan ka ndikuar që situata të jetë me e qetë në pjesën veriore. Një ditë më parë, Partia e Serbëve e Kosovës së Aleksandër Jabllanoviçit, u tërhoq nga gara zgjedhore e 23 prillit me arsye se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Mirëpo, Pantoviç deklaroi se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, madje tha se ka pasur edhe në dhjetor kur fillimisht ishin paraparë të mbaheshin këto zgjedhje. Ajo tha se nuk beson se do të ketë incidente të mëdha gjatë zgjedhjeve, derisa për incidente të vogla tha se ka pasur gjithmonë në veri.

“Mund t’ju them se situata e sigurisë në Zveçan, prej që është Policia e Kosovës, ROSU, është shumë e qetë. E shihni edhe vetë, është qetësi, ndoshta është qetësi para stuhisë, por sinqerisht t’ju them tek ne në Kosovë asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhjet dhe të mos ketë pasur ndonjë incident, mund të ndodhë ndonjë incident i vogël, por dyshoj. Këtë herë jam e sigurt se do të jetë në rregull dhe gjithçka do të shkojë mirë, ngase mendoj se kryeministri ynë Kurti ka organizuar që gjithçka të jetë nën kontroll dhe ashtu do të jetë… Po, po (ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve), ka pasur edhe në dhjetor, mua më është dukur e çuditshme dhe ia pata parë për të madhe Kurtit pse i pati shtyrë zgjedhjet e dhjetorit, ia ka dhënë rastin edhe Listës serbe, ua ka dhënë rastin edhe punëtorëve të cilët i braktisën institucionet e Kosovës, por këta të fundit nuk i braktisën institucionet me vet dëshirë, ata e bënë një gjë të tillë nën presion”, tha ajo.

Kandidatja për kryetare të Zveçanit, u shpreh se nuk është se ndihet edhe shumë e sigurt për shkak të kandidimit të saj në këto zgjedhje, por thotë se nuk frikësohet.

Pantoviç bëri të ditur se ka pasur ofendime pas takimit që kishte me kryeministrin Kurti kohë më parë në Prishtinë, mirëpo shprehet se ka zgjedhur rrugën e saj dhe nuk pendohet për këtë asnjëherë.

“Nuk mund t’ju them se po ndihem shumë e sigurt, por nuk kam frikë. Derisa këtu të jenë këta policë, unë këtu afër jetoj. I besoj Kurtit, e mbështes politikën e tij… Ka pasur mendime të ndryshme ndaj meje në Facebook (pas takimit me Kurtin), nuk di si t’ju them, ofendime, se po punoj për shqiptarët, por nuk ua kam parë për të madhe njerëzve sepse çdokush ka të drejtë në mendimin e vet, unë e kam zgjedhur solucionin tim, nuk pendohem, unë katër vite e kam mbështetur Kurtin, do ta mbështesë edhe 44 vite të tjera nëse duhet… Porosia ime është që qytetarët tani të vetëdijesohen, se ndoshta edhe ata duan ndryshime, për shkak të ardhmërisë së tyre dhe të fëmijëve”, tha Pantoviç për KosovaPress.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


NATO i tregon 'dhëmbët' Serbisë

‘Blindohet’ Kosova para zgjedhjeve në Veri


"Përbën kërcënim për politikën e jashtme të SHBA"

Biden zgjat urdhrin për gjendje të jashtëzakonshme në Ballkan

Ambasadori Rohde kundërshton idenë e Hill

Gjermania dhe SHBA “përplasen” për Kosovën

Një epokë e re e pret dialogun Kosovë-Serbi

Figurat e reja që do të ndërmjetësojnë mes Kosovës dhe Serbisë

Masa kufizuese edhe Republikën Islamike të Iranit

Kosova vendos sanksione shtesë Rusisë