MENU
klinika

Thirrja e fortë e Bejkos për Berishën

PD hap fushatën, Alibeaj: S’ka më vend për ‘non grata’-n!

18.04.2023 - 20:17

Partia Demokratike hapi sot zyrtarisht fushatën për 14 majin. Mesazhet ishin të qarta, thirrje për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara. Kjo do të jetë edhe pika e fortë e Partisë Demokratike në këtë garë elektorale, të cilët po luajnë shumë fort me shpalljen e Berishës non grata nga dy aleatët më të mëdhenj të vendit tonë, si edhe koalicioni me Ilir Metën. Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj i bëri edhe njëherë të qartë Sali Berishës, se dera për të është mbyllur dhe nuk do të ketë vend kurrsesi në gjirin e PD-së.

“Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë”, tha Alibeaj.

Edhe më i fortë ishte mesazhi i kandidatit për Tiranën, Roland Bejko i cili i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Sali Berishës që të largohet dhe t’i lërë demokratët që të fitojnë përballë Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

“Kam edhe një mesazh për ty Sali Berisha. Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i Partisë Demokratike në misionin e saj për të demokratizuar Shqipërinë dhe për ta çuar atë në europë. Sali Berisha hiqi gishtat nga sytë e demokratëve. Hiqi duart Sali Berisha dhe lëri demokratët të firojnë, lërini shqiptarët të ndryshojnë, ta largojnë nga pushteti këtë dyshe të keqe, Edi Rama dhe Erion Veliaj”, tha Bejko.

Njëzëri, Alibeaj dhe Bejko thanë se votat e demokratëve nuk do të shkojnë tek socialisti Ilir Meta, duke e akuzuar Berishën se kjo ka qenë një strategji për të dëmtuar PD në mënyrë që ajo të mos futej në zgjedhje.

“Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje duke i çuar demokratët te socialisti Ilir Meta, duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit”, tha Alibeaj.

“Ne jemi këtu sot , unë jam në këtë garë pikërisht për të shpëtuar nderin dhe historinë e Partisë Demokratike që mos të rrëshkasë në duart e një autokrati lindor dhe në dorën e një grabitqari politik si socialisti Ilir META, të cilin Sali Berisha e ka futur në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, që ai votat e tyre ti marrë dhe ti çojë nesër te pazari i radhës me Edi Ramën”, tha Bejko.

Duke ironizuar premtimet e tyre, Bejko nuk la pa sulmuar as dy kandidatët e garës për Tiranën të Partisë Socialiste e “Bashkë Fitojmë”.

“Vizioni im për Tiranën, vizoni ynë për Tiranën, nuk bazohet te premtime utopike me autobusë falas apo me dy million pemë, por te një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm”, tha Bejko.

‘Frymëmarrje për Shqipërinë’ është slogani i PD-së, ndërsa përballë demokratëve të mbledhur në Pallatin e Sportit Fahrie Hoti, Roland Bejko prezantoi edhe programin e tij për Bashkinë e Tiranës. Programi me 15 pika prek disa fusha, nga arti, sporti, ekonomia apo transporti.

Të pranishëm në këtë takim ishin deputetët e grupit parlamentar që kanë mbështetur Bejkon, si Oriola Pampuri, Kreshnik Çolalku, Lefter Gështenja. Ndërkohë, u vu re mungesa e Jorida Tabakut, ndërsa i pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ndonëse deri më tani nuk është parë në asnjë nga takimet publike të Bejkos me qytetarët. Ndërkohë, u vu re edhe mbështetja e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, përmes rrjeteve sociale. Ai nuk ishte i pranishëm në takim, por e shpërndau atë live në Facebook.

Pikat kryesore të programit:

1. Arsimi para universitar dhe universitar: Krijimi i infrastrukturës për të pritur në Tiranë deri në 250 mijë studentë deri në 2030.
2. Arsimi parashkollor: Kopshte dhe çerdhe funksionale, sipas parimit jo më tepër se 15 min larg
3. Arti. Zero taksë bashkiake për organizatat artistike dhe individët e pavarur që organizojnë aktivitete kulturore në Tiranë.
4. Bujqësia. Ç’ monopolizim i tregut ushqimor. Hapja e 5 tregjeve në pikat hyrëse të Tiranës dhe promovim i ushqimit të ‘Kilometrit 0’.
5. Ekonomia. Tre zona të lira ekonomie në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit, për fuqizimin e ekonomisë së Tiranës.Inicim, ligj i ri për Tiranën.
6. Kujtesa: Shpallja muze e burgut 313, vend i vuajtjes së vuajtjet të dënimit. Vila 31 e Enver Hoxhës do të shpallet qendër edukimi dhe informimi për kujtesën.
7. Mjedisi. Afrimi i normave evropiane mjedisore mbi ndotjen e ajrit dhe ujit deri në fund të mandatit.
8. Strehimi. Mundësi strehimi për të gjithë. Luftë çmimeve të larta të banesave. Ulje e taksës lokale nga 12% në 5% ndaj ndërtuesit. Transparencë për ndërtimet në Tiranë.
9. Shëndetësia. Kujdesi shëndetësor jo më larg se 15 minuta nga banesa e qytetarit. Rikonceptim shërbimit spitalor.
10. Taksa për të gjithë por të ulëta. Përgjysmim me 50% të taksave aktuale. Eliminim i gjysmës së tarifave dhe ulje të informalitetit.
11. Turizmi. Turizëm gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm. Pesë vite zero taksë për sipërmarrjet turistike, bujtinave, start up, etj.
12. Transporti. e-Transport. Biletë unike elektronike, pra s’ka radhë. Formatimi i stacioneve të kronometruara.. 5 parkime të mëdha publike në hyrje të Tiranës, mbi dhe nën tokësore.
13. Territori. Do të bëhet zonim i Tiranës, zona rekreative, industriale, shërbime spitalore dhe sportive. Përqendrimi i kullave me infrastrukturë të përshtatshme në bulevardin e ri.
14. Sporti. Krijim i abonesë bashkiake për sportin. Subvencionim dhe abonime për aktivitetet sportive, e mundur për të gjithë qytetarët.
15. Trashëgimia: Shpallja monument kulture i katër zonave, zona e trashëgimisë otomane, e paraluftës, e komunizmit dhe shpallja muze e ansamblit arkitekturor qendra

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kulluri: 8 Janari, dita më e errët e PD!

Bejko: PD ka vetëm një zgjidhje, largimi i Berishës