MENU
klinika

Bashkëshort i dy grave dhe pronar i resortit të njohur

Përcillet në banesën e fundit Ardian Nikulaj

21.04.2023 - 17:07

Është përcjellë në banesën e fundit biznesmeni dhe zyrtari Ardian Nikulaj, i ekzekutuar në datën 19 prill në lokalin e tij në Lezhë.

50-vjeçari Nikulaj ishte i njohur në zonën e Lezhës dhe më gjerë. Ai ishte pronar i një resorti të njohur në plazhin e Ranës së Hedhun që frekuentohej nga turistë të shumtë dhe kishin performuar këngëtarë e DJ të njohur, si dhe kishte në pronësi lokalin ku mbeti i vrarë. Prona të tjera ishin në emër të familjarëve të tij.

Ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qytet si drejtor i OSHEE-së, ALUIZNI-t dhe së fundmi kandidat për këshillin bashkiak nën logon e PSD-së. Megjithatë siç raportohet, Nikulaj kishte mbështetur kandidatin opozitar për kryebashkiak nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni.

Nikulaj ishte baba i katër fëmijëve, të cilët i kishte me dy gra, çka pohohet edhe në njoftimin e vdekjes ku shkruhet “bashkëshorti i Rudinës dhe i Verës”. Ai i kishte dhënë fjalën njërës prej grave se nuk do e braktiste kurrë, pasi përpara se të martoheshin ajo kishte mbetur jetime, rrëfejnë banorët.

Një prej pistave ku po hetohet, është ajo e gjakmarrjes, për shkak se në vitin 1999 atij i kishin vrarë vëllain, ndërsa disa vite më pas, dyshohet se xhaxhai i Ardian Nikulajt kishte ekzekutuar dy anëtarë të familjes Palaj.

Megjithatë Nikulaj kishte edhe precedentë penalë si armëmbajtje pa leje, ishte dënuar për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë, për çka ishte dënuar me burg dhe gjobë.

Nikulaj ruhej me bodigardë dhe lëvizte me makinë të blinduar. Por vrasësi duket se e kishte monitoruar për rreth 1 javë, duke gjetur momentin kur ai qëndronte i vetëm dhe i pambrojtur.