Në qendrën “Dabimus srl” në Bari, u krye restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni”.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë”.
Ministrja tha se, filmi me regji nga Viktor Gjika, skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë të Aleksander Peçit vjen për publikun i restauruar nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti, të enjten 20 prill, ora 19:00 në Cineplexx (TEG).
Margariti tha se, së bashku me premierën e filmit do të promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “film pas filmi – unë e bija e…”, botuar nga “Toena”.
Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj.