Ekonomia blu konsiderohet më e rëndësishmja për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare, të cilat aktualisht po përballen me fenomene që po dëmtojnë rëndë ekosistemet detare dhe të ardhmen e komuniteteve të tyre.
Peshkimi i paligjshëm dhe i pakontrolluar, rrjetat “fantazmë” dhe ndotja nga plastika mbeten ndër çështjet më kritike. Specialistë dhe përfaqësues të peshkimit, autoriteteve kompetente, agjencive rajonale të akuakulturës dhe peshkimit, si dhe universitetit bujqësor të Tiranës u mblodhën në Durrës për të diskutuar mbi problematikat dhe praktikat më të mira që mund të zbatohen edhe në bregdetin e Durrësit.
Një studim i kryer nga viti 2016 dhe në vazhdim ka nxjerrë në pah dhe zonat më të ndotura nga makroplastika dhe ndotës të tjerë të bregdetit.
Përfaqësuesi i organizatës së menaxhimit të peshkimit në Durrës u ndal te shqetësimet e peshkatarëve dhe domosdoshmëria e hartimit të politikave shtetërore për parandalimin e ndotjes së detit nga mjetet e peshkimit dhe rrjetat fantazmë.
Ky takim synon që gjetjet dhe praktikat e projektit Adrinet të programit Interreg-IPA CBC të zhvilluar në tre vende të Adriatikut Jugor, në zonën e Kastros në Itali, atë të Vlorës në vendin tonë dhe të fjordit të Kataros në Mal të Zi t’i përcjellë dhe në zona të tjera bregdetare të këtyre vendeve duke synuar një menaxhim të integruar të bregdetit të tyre.