Pronat ushtarake pranë bregdetit në Shqipëri janë vënë në shenjestrën e biznesit. Një hap mjaft i rrezikshëm ky pasi cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura.
Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandant i Forcës Detare në ushtrinë shqiptare, hyri në ambientet e SPAK tri herë gjatë një muaji. Marsi ishte i ngjeshur për Kapitenin e Rangut të Parë, i cili dëshmoi në cilësinë e paditësit para prokurorëve që hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve të larta në Shqipëri.
Shtatë muaj pasi u pushua nga puna, në mars dhe prill 2021, Meçollari dorëzoi në SPAK dy denoncime për abuzime me pronat e ushtrisë, konkretisht bazën detare të Limionit në Sarandë dhe bazën detare të Shëngjinit, në Lezhë. Për Limionin, ai akuzoi ish-ministren e Mbrojtjes së asaj kohe, Olta Xhaçka dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, se në mënyrë të kundraligjshme kishin dhënë me qira bazën detare. Limioni iu dha kompanisë investitore “Marina Bay Saranda”, e cila kish nisur punën për ndërtimin e një resorti turistik dhe porti jahtesh brenda bazës, deri para pak javësh kur SPAK vuri sekuestron preventive mbi të. Padia e dytë e Meçollarit lidhet me bazën detare të Shëngjinit, e cila iu dha një ish-pronari që ngriti një ngrehinë 4-katëshe brenda bazës. Punimet u anuluan me ardhjen e ministrit të ri të Mbrojtjes, Niko Peleshi. Deri në përfundimin e hetimit të plotë të çështjeve, në asnjërën prej bazave detare nuk mund të kryhen punime.
Baza detare e Sarandës
Baza detare e Limionit në Sarandë u krijua për hërë të parë në vitin 1969, por mori strukturë të plotë në vitin 1974. Deri vonë ajo ka shërbyer si bazë detare operacionale. Por me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 1 korrik 2020, dhe kontratës së datës 16 korrik 2020, kjo bazë detare iu dha me koncension kompanisë investitore “Marina Bay Saranda”, bashkim i shoqërive “Concord Investment” dhe “Kastrati Group”.
“Procedurat për dhënien me qira prej 1 euro të sipërfaqes prej 26,5 hektarësh për 20 vjet në Gjirin e Limionit nisën gjatë periudhës që unë isha në detyrë. Duke qenë se 4 hektarë ishin në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes (PVP), kjo procedurë nuk mund të ndiqej pa marrë më parë miratimin e Presidentit të Republikës, i cili miraton PVP” – thotë për Deutsche Welle ish-zëvendëskomandanti Meçollari. Ai akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare” ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe ish-ministren e Mbrojtjes së asaj kohe, Olta Xhaçka, se i dhanë investitorit të gjithë pronën prej 4 hektarësh, pa i referuar çështjen presidentit dhe pa i lënë asnjë metër Forcës Detare.
Në lidhje me këtë denoncim të Meçollarit, SPAK vuri sekuestro preventive ndaj kompanisë. “Vendimi i gjykatës për sekuestro preventive erdhi edhe për faktin se Forca Detare nga shkurti 2022 i ka dorëzuar firmës private 80% të bazës prej 4 hektarë, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin dhe operacionalitetin e Forcës Detare” – thekson Meçollari.
Fenomen i vjetër apo i ri?
Për Alban Dafën, sot hulumtues i çështjeve të sigurisë dhe dikur pjesë e Forcës Detare, gllabërimi i pronave të ushtrisë nuk është një fenomen i ri. “Është mjaft i rrezikshëm pasi cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura. Për më tepër, është pjesë e një mendësie të rrezikshme, në sajë të së cilës përligjet sakatimi i Forcave të Armatosura. Konkretisht, në bazë të kësaj mendësie plaçkitëse, Shqipërisë nuk i duhen më kapacitete ushtarake pasi është pjesë e NATO-s. Sigurisht që ky qëndrim është krejt absurd dhe është shfrytëzuar nga qeveritë e njëpasnjëshme të Shqipërisë prej fillimit të viteve 2000 e deri më sot” – thotë Dafa për DW.
Argumenti i dhënë publikisht nga qeveria dhe institucionet ka qenë ai i strategjisë kombëtare për turizmin. Lindita Çela, gazetare investigative pranë OCCRP, rrjeti ndërkombëtar i gazetarisë që raporton për korrupsionin dhe krimin e organizuar, thotë se më shumë se sa zhvillim i turizmit në vend, këto projekte kanë rezultuar afera qeveritare ku përfitues janë klientë të saj. Sipas Çelës, gjithçka ka nisur në maj të vitit 2015, kur Parlamenti ktheu në ligj një propozim të qeverisë për investimet strategjike.
“Në dhjetor të vitit 2015 qeveria ka miratuar edhe 10 vendime, me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë dhe në këtë mënyrë u është hapur rruga projekteve “investime strategjike” ku përfitues në të shumtën e rasteve janë shpallur kompani të afërta me qeverinë. Sipas nenit 28 të këtij ligji: “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike lejohet shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë publike apo edhe private. Nga sa unë kam hetuar, e njëjta logjikë është ndjekur edhe me investitorët e projektit në bazën detare të Limionit” – thotë Çela.
Cenim i sigurisë kombëtare?
Ekspertët i druhen cenimit të sigurisë kombëtare. “Dhënia me qira e bazave ushtarake është koncept krejt absurd. Dhënia me qira ose me koncesion mund t’i jepet një kompanie e cila ofron një shërbim të Forcave të Armatosura. Për shembull, një hapësirë brenda një baze ushtarake mund t’i jepet një kompanie që prodhon mina detare apo anije për Forcën Detare. Por jo t’i jepet një zhvilluesi që ka ndërmend shfrytëzimin e hapësirës për të përfituar nëpërmjet një aktiviteti që nuk lidhet kurrsesi me Forcat e Armatosura apo sigurinë kombëtare. Pra, është krejt absurde të jepet me qira një hapësirë e cila është infrastrukturë kritike e sigurisë kombëtare ku ka aktivitet operacional për të cilin kërkohet siguri e sekret” – thekson Dafa.
Baza detare e Limionit apo ajo e Shëngjinit nuk janë të vetmet baza të vijës bregdetare që janën nën shënjestrën e investitorëve. Ekspertët thonë se rrezikohen dhe prona të tjera të ushtrisë, ku denoncime janë bërë për ish-depon e minave në Porto-Romano, baza e Kepit të Palit, e cila do t’i jepet një investitori strategjik pasi të ndërtohet porti i ri i Durrësit, si dhe Sazani.
Deutsche Welle u kërkoi një koment rreth padisë së Limionit – çështja më e debatueshme e momentit – të gjitha palëve të përfshira në padi: ish-ministres së Mbrojtjes Xhaçka, ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Kollçaku dhe kompanisë “Marina Bay Saranda”. Asnjë prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës së DW-së. /DW