MENU
klinika

Analiza

Pse do të zgjedhë Amerika një “president gafash”?

27.04.2023 - 15:50

Marka e presidentit Xho Bajden është në rastin më të mirë popullore.

Dhe në rastin më të keq, është rrëqethëse dhe drithëruese, për shkak se dekadat e tij në politikë janë karakterizuar me një sërë gafash të bujshme.

Nga thirrja për t’u ngjitur në podium e një kongresmeneje që kishte disa muaj që kishte vdekur, deri te sugjerimi se ai vuan nga kanceri, “DailyMail.com” ka regjistruar disa nga momentet më të sikletshme të Bajdenit nga garat e tij të mëparshme presidenciale dhe koha e kaluar në Shtëpinë e Bardhë. Kjo çështje ka jo pak rëndësi tani që ai ka shpallur zyrtarisht synimin e tij për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2024.

Në të kaluarën, edhe disa nga aleatët e tij më të vendosur, kanë shprehur rezerva dhe ngritur pikëpyetje nëse prirja e tij për gafa mund të ndikojë në të ardhmen e tij politike. Thuhet se ish-presidenti Barak Obama i tha një demokrati gjatë kandidimit të Bajdenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Mos e nënvlerëso aftësinë e Xhosë për t’i djallosur gjërat”- i tha Obama.

Nera Tanden, që tani punon në Shtëpinë e Bardhë të drejtuar nga Bajden, tha diçka të ngjashme kur Bajden po shqyrtonte mundësinë e kandidimit në primaret brenda partisë në vitin 2016 kundër Hilari Klinton.

“Gjëja e mirë e kandidimit të Bajden, është se ai do ta bënte Hilarin të dukej shumë më mirë”-i tha Tanden Xhon Podestës, një tjetër këshilltar i Klintonit, i kthyer në përkrahës të Bajden, në një e-mail të hakeruar që u shpërnda nga Wikileaks.

Bajden u zgjodh për herë të parë si senator në Senatin e SHBA-së në moshën 29-vjeçare. Ai kandidoi për herë të parë për president në moshën 44-vjeçare në vitin 1987. Nëse zgjidhej në atë kohë, do të bëhej personi i dytë më i ri pas Xhon Kenedit.

Por vetëm tre muaj më vonë, fushata e tij dështoi për shkak të një skandali me plagjiaturën. Bajden kopjoi në 2 raste fjalimet e udhëheqësit të Partisë Laburiste Britanike, Neil Kinok. Kjo gafë i kushtoi atij mundësinë e parë për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 1988.

Ai nuk do të kandidonte sërish deri 2 dekada më vonë. Bajden kandidoi për herë të dytë për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008. Ai e nisi atë garë me një kompliment për njeriun që do ta emëronte si zëvendësin e tij. “Ju keni afrikano-amerikanin e parë të jashtëzakonshëm, i cili është i artikuluar, i zgjuar dhe i pastër dhe një djalë me një pamje të këndshme”- deklaroi Bajden teksa dorëzonte dokumentet e tij për të nisur fushatën e tij të dytë presidenciale më 31 janar 2007.

Deklarata e tij u interpretua si raciste. Më vonë ai kërkoi ndjesë dhe tha se deklarata ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Por Bajden u gjend në një situatë edhe më të sikletshme kur në prag të njoftimit të kandidimit të tij në korrik 2006 tha: “Nuk mund të shkosh në një 7-Eleven (rrjet supermarketesh në SHBA) nëse nuk ke një theks të lehtë indian”.

Dhe kur Bajden po kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, ai u kritikua nga senatorja Kori Buker, për disa deklarata segregacioniste. Por Bajden refuzoi të kërkonte falje. “Të kërkoj falje për çfarë. Është Kori ajo që duhet të kërkojë falje. Unë nuk kam asnjë ide raciste. Përkundrazi kam qenë i përfshirë në të drejtat civile gjatë gjithë karrierës sime”, – u përgjigj Bajden.

Pasi dështoi në fushatën e tij për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008, Bajdenit iu dha një mundësi tjetër për një promovim politik. Në gushtin e vitit 2008, kandidati demokrat Obama njoftoi vendimin e tij për ta pasur Bajdenin, në atë kohë 65 vjeç, si zv/president nëse do të fitonte zgjedhjet.

Disa javë më vonë, “New York Times” botoi një profil të imtësishëm të Bajdenit, duke vënë në dukje se ndërsa senatori i atëhershëm ishte “një njeri me përvojë, serioz dhe i zgjuar”, megjithatë ai është i prirur “të thotë gjëra interesante”.

Më vonë autori i artikullit e përshkroi Bajdenin si një njëri që i dreqos gjërat herë pas here.

Ndër gafat më të tmerrshme: kur i kërkoi të ngrihej në këmbë senatorit paraplegjik të shtetit të Misurit, Çak Graham. “Çak, ngrihu, le të të shohin njerëzit”- tha në atë kohë kandidati për zëvendëspresident. Por pak çaste më vonë e kuptoi që tashmë i ndjeri Graham përdorte një karrige me rrota.

“Oh Zoti im. Për çfarë po flas?”- shtoi më pas Bajden. Por presidenti aktual bëri një gabim po aq të sikletshëm në shtatorin e vitit të kaluar, kur thirri “Ku është Xheki?” gjatë Konferencës së Shtëpisë së Bardhë mbi Urinë, Ushqyerjen dhe Shëndetin. Ai iu referua kongresmenes Xheki Ualorski, e cila kishte humbur jetën në një aksident automobilistik vetëm një muaj më parë.

Zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan-Pier u përpoq të shpjegonte gabimin duke thënë se Bajden “ishte duke vlerësuar punën e saj të pabesueshme” dhe se ajo ishte “në krye të mendimeve të tij”, në vend që të thoshte se presidenti e harroi vdekjen e saj.

Kur Obama dhe Bajden hynë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2009, rregullimi i kujdesit shëndetësor ishte një prioritet kryesor. Demokratët e realizuan atë me miratimin e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm.

Momenti më i paharrueshëm ishte sërish një gafë e zëvendëspresidentit të atëhershëm të SHBA-së.