Këshilli Evropian ka njoftuar krijimin e një mision civil të sigurisë në Moldavi të quajtur Misioni i Partneritetit të BE-së në Republikën e Moldavisë (EUPM Moldavia) si rezultat i përpjekjeve të supozuara të Rusisë për të destabilizuar vendin.
Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropain për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Por pse Moska synon Moldavinë?
Në korrik të vitit 2022, Moldavia, së bashku me Ukrainën, morën statusin e vendit kandidat për në BE, vendim që nxiti zemërim në Moskë.
Moldavia ka qenë më herët një republikë sovjetike. Ajo kufizohet në jugperëndim me Ukrainën, dhe nuk ka ndarë asnjëherë ndonjë kufi me Rusinë.
Transnistria, zona lindore e Moldavisë, është pa dalje në det, dhe ndodhet midis Ukrainës dhe pjesës tjetër të Moldavisë. Kur filloi të shpërbëhej Bashkimi Sovjetik, në vitin 1990 shpërtheu një konflikt i armatosur midis forcave moldave dhe forcave pro-ruse të Transnistrias.
Konflikti zgjati thuajse 2 vjet, derisa në korrik 1992 u shpall një armëpushim. Lufta përfundoi me vendosjen aty të qindra ushtarëve rusë, ndërsa rajoni vazhdon të pretendojë autonominë. Trupat ruse janë vendosur atje si “paqeruajtëse”, dhe sot numri i tyre është gati 2000 ushtarë.
Nëse sulmohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ushtria e Moldavisë prej vetëm 6500 trupash, nuk do t’i rezistonte shumë gjatë presionit, sidomos duke pasur parasysh përfshirjen e pjesës tjetër të ushtrisë ruse.
Ky është një element kryesor i asaj që e bën konfliktin në Moldavi një konflikt “të ngrirë”, që mund të rindizet e mund të nisin luftimet në çdo moment nëse Moska vendos ta bëjë këtë.