Kryeministri, Edi Rama bëri thirrje që qytetarët të krahasojnë ndryshimin e madh në bashki që janë qeverisur nga kryebashkiakë të PS me ato që janë qeverisur nga kryebashkiakë të opozitës.
Ai tha se gjatë qeverisjes së PS janë dyfishuar të ardhurat për frymë dhe se objektivi brenda vitit 2030-të, është që paga minimale në vend të jetë të paktën 60 mijë lekë.
“Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë në Shqipëri. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë. Pavarësisht ngecjeve apo rrëzimeve gjatë rrugës, jo që këto nuk bëhen por vendi kthehet përsëri prapa. Siç është kthyer sa herë që ata tjerët kanë marrë në duart e tyre duart e tij, Vota për të tjerët ka sjellë si rregull më shumë dëme sesa të mira.
Dëme tejet serioze krejt të pariparueshme, apo dëme që kanë dashur vite të riparohen. Padyshim që edhe ne nuk e kemi bërë mirë çdo gjë, por asgjë me dëm serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk kemi bërë. Bilanci ynë është pozitiv në raport me të gjitha kontratat tona zgjedhore. Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kudo që zgjedhësit të na e besojnë votën e tyre, ne bëjmë atë që tjerët nuk munden ta bëjnë.
Nuk është ekzagjerim kjo që po them, le të dalë dikush dhe të na tregojë një bashki të vetme në harkun e 30 viteve, ku vota për ata të tjerët ka sjellë ndryshim dhe përparim. Më besoni, kam kërkuar me mend jo një herë dhe nuk e gjej asnjë. Është i njëjti avaz si në Shkodër, kudo tjetër ku vota ka shkuar në drejtim tjetër. Shikoni Lezhën sot dhe imagjinojeni larg qoftë nesër Lezhën me po ata që sot janë ku e ku më keq nga çfarë ishin dje”-tha Rama./