Kryeministri Rama deklaroi se po e mendon të tërheqë Shqipërinë nga ICSID, gjykata ndërkombëtare që mbron investitorët e huaj nga arbitrariteti i qeverive, traktat i nënshkruar nga 160 vende.
“Meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë që ka një lajm të kësaj natyre, në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrin të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme, dhe nga e cila madje po analizojmë edhe mundësinë e daljes fare nga juridiksioni sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur,” deklaroi Rama në një konferencë për shtyp, këtë javë.
Gjykata që ka gjobitur Shqipërinë, International Centre for Settlement of Investment Disputes, ICSID, është një institucion i themeluar në vitin 1966.
Rreth 160 vende në të gjithë botën, përfshirë shumicën e vendeve demokratike, si SHBA dhe Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, janë anëtare të kësaj gjykate dhe respektojnë vendimet e saj dhe drejtësinë që ajo jep.
ICSID është kritikuar herë pas here nëpër botë për shkak të natyrës sekrete se si ajo vepron. Vendimet e saj nuk publikohen.
Eksperienca e Shqipërisë me këtë gjykatë si dhe me zyrat e tjera të arbitrazhit ka qenë e përzierë. Vetë biznesmeni kontrovers italian Francesco Becchetti ka hapur dy çështje në gjykatë, një e ka humbur, tjetrën e ka fituar.
Kompani të tjera të huaja kanë ngritur pretendime ndaj Shqipërisë dhe kanë humbur. [Listën e çështjeve e gjeni këtu] Ndërsa përveç Becchettit, në arbitrazh ka fituar edhe kompania greke Aktor.
Duhet të vihet re gjithashtu se natyra sekrete e punës së ICSID-së e bën të pamundur të dihet se për çfarë konkretisht Shqipëria ka humbur, ose ka fituar në këto procese.
E vetmja gjë që dihet është që Shqipëria i detyrohet 110 milionë euro Becchetti-t dhe 44 milionë dollarë dhe kompanisë Aktor.