Juventusi ka bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfi nales së Ligës së Europës, duke fituar në Torino 1-0 ndeshjen e vajtjes çerekfinale kundër Sportingut të Lisbonës dhe tani sheh gjithmonë e më pranë nëpërmjet këtij kompeticioni edhe një vend në Champions-in e ardhshëm, duke qenë se në Serinë A, janë 7 pikë “me vonesë” nga vendi i katërt që mbahet nga Milani.
Dhe pikërisht si rrjedhojë e bardhezinjve, hapen skenarë shumë të bukura, por njëkohësisht të frikshme në lidhje me kualifikimin në Champions, sezonin tjetër. Sepse është e vërtetë që nëse Juvja fiton Ligën e Europës shkon direkt në Ligën e Kampioneve, edhe duke qenë jashtë katërshes së parë. Por në të njëjtën kohë, ekziston edhe mundësia që duke pasur një skuadër italiane të sigurt në finalen e Champions-it, në këtë sezon, vendi i katërt i njërës prej Milanit, Interit apo edhe Romës (duke qenë se Lacio e Napoli kanë një avantazh të konsiderueshëm për të qenë optimistë dhe gati të sigurt për kualifikimin në grupet e Champions-it), mund të mos mjaftojë për të shkuar në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Ja arsyet…
NAPOLI, 6 PIKË LARG SIGURISË Le ta nisim nga një fakt konkret. Një prej vendeve të vlefshme për sezonin e ardhshëm të Champions-it e ka të sigurt Napoli, i cili është fare pranë shpalljes kampion Italie. Me një avantazh prej 22 pikësh nga vendi i katërt dhe 9 javë nga fundi, skuadrës së Spaletit do t’i duheshin dy fitore në Serinë A, për të siguruar matematikisht zonën Champions.
NË CHAMPIONS 4 TË PARAT, POR… Nga sezoni 2017-2018 Italia u rikthye që të ketë të drejtën e kualifikimit të 4 skuadrave në fazën e grupeve të Championsit. Edhe këtë vit, në teori, kështu mund të jetë, ndonëse këtë herë vendi i katërt i Serisë A, mund të mos jetë i sigurt që të jetë pjesë e turneut më të rëndësishëm për klube shtatorin tjetër dhe kjo si rrjedhojë e disa skenarëve të veçanta, ndonëse shanset deri tani mund të jenë edhe minimale që të konkretizohet.
NJË ITALIANE FITON CHAMPIONS-in Një tjetër rrugë për të fituar të drejtën për të luajtur Champions-in 2023-2024 është ajo e të fituarit të edicionit aktual. Me Napolin, Milanin dhe Interin ende në lojë, Italia ushqen ende këtë mundësi. Nëse njëra prej tyre do të ngrinte trofeun dhe fituesja do të mbeste jashtë katër të parave në kampionat, atëherë skuadrat italiane në Champions-in e ardhshëm do të ishin 5.
NJË ITALIANE FITON EUROPA LIGË Rruga tjetër për të hyrë në Champions nga porta kryesore është edhe ajo e fitores së Ligës Europës. Edhe në këtë rast, kualifikimi në grupe do të ishte i sigurt, edhe nëse skuadra do të ishte jashtë katërshes së parë të Serisë A, do t’i garantonte 5 skuadra Italisë, në Champions-in 2023-2024.
KUR VENDI I KATËRT NUK MJAFTON Por çfarë do të ndodhte nëse një skuadër italiane fitonte Champions-in dhe një tjetër Ligën e Europës? Fundja, vendi maksimal që UEFA i garanton një lige europiane është 5 skuadra… E sigurt është që si fituesja e Champions-it, ashtu sikurse ajo e Ligës së Europës do të kishin një vend të garantuar në turneun elitar, edhe duke qenë jashtë katërshes së parë, por kjo do të thoshte që vendi i katërt i renditjes së Serisë A, në këtë rast do t’i duhej që të kënaqej me Ligën e Europës…
KUSHTI 1: CHAMPIONS-i NË MILANO Duke e marrë si të sigurt prezencën e Napolit mes katër të parave, një kusht i detyrueshëm, për të konkretizuar skenarin e hipotetizuar do të ishte të shihje njërin mes Milanit apo Interit që të ngrinte trofeun e Champions-it. Kush nga këto do të fitonte kupën mund të qëndronte edhe jashtë top 4 së Serisë A (aktualisht Interi është i pesti, 1 pikë më pak se kuqezinjtë).
KUSHTI 2: LIGA E EUROPËS, ROMËS OSE JUVES Kushti tjetër i nevojshëm do të ishte fitorja e Ligës së Europës nga njëra mes Romës ose Juventusit, me pakt që qoftë njëra apo tjetra të mbeten jashtë katërshes së parë të Serisë A (aktualisht Juventusi është i 7-ti në renditje, ndërsa Roma e treta).
I VETMI SKENAR I MUNDSHËM Pra, cili do të ishte skenari finale që do të linte jashtë Champions-it vendin e katër të Serisë A (me Napolin, të vetmin të sigurt në grupe): – Një mes Interit e Milanit fiton Ligën e Kampioneve – Një mes Romës dhe Juventusit fiton Ligën e Europës – Të dyja fitueset e secilit kompeticion të jenë të renditura nga vendi i pestë e më poshtë. Në këtë pikë, përveç dy kampioneve të Europës, në Champions-in e sezonit 2023-2024 do të shkonin vetëm 3 të parat e renditjes së Serisë A.