MENU
klinika

Asociacioni i Gazetarëve dënon ngjarjen

Sulmohet gazetari në Kosovë Valon Syla

12.04.2023 - 10:22

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, duke kërkuar hetim urgjent dhe arrestim të menjëhershëm të kryesve të këtij sulmi. Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi, pasi sipas AGK-së, ai u sulmua në Prishtinë nga tre persona. Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë deri nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, u tha në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkoi që autoritetet të arrestojnë personat përgjegjës dhe ata të vihen para drejtësisë.

Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, që e ka cilësuar si “shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut”, duke theksuar se akte të tilla nuk mund “të tolerohen kurrsesi në një shoqëri demokratike”.

“Ata [gazetarët] kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Gazetari Syla kishte qenë cak i një sulmi tjetër fizik në dhjetor të vitit 2020. Ndryshe, në raportin për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch për vitin 2022, u tha se në Kosovë u regjistruan 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë. Sipas HRW, në shumicën e rasteve gazetarët janë përballur me ngacmime, kërcënime dhe frikësime në platformat e mediave sociale. Në raport po ashtu u tha se hetimet penale për këto raste ishin të ngadalshme.

Marrë nga REL