Sot Kosova bën plot 15 vjet nga dita kur hartoi Kushtetutën, si aktin më të lartë juridik të vendit, e cila do të themelonte për herë të parë shtetin e së drejtës dhe do të përmbyllte një epokë të errët, ku të drejtat dhe liritë jo vetëm nuk garantoheshin por cënoheshin. Për këtë datë të rëndësishme ka pasur një reagim nga Ramush Haradinaj, i cili i bëri thirrje qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti të tërhiqen nga sjelljet antikushtetuese dhe të ruajnë sigurinë juridike.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancimin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit.
Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë.Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike.
Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet antikushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës. Urime dita e miratimit të Kushtetutës!”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Kushtetuta e republikës së Kosovës e shpallur me 9 prill 2008, është garancia e të drejtave dhe lirive themelore dhe e shtetit të së drejtës i ngritur në bazë të parimeve të drejtësisë, paanësisë dhe reciprocitetit.Për këtë datë të shënuar, foli Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se Kushtetuta është motori i demokracisë dhe zhvillimit. Kujtojmë se hartimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës u bë me mbështetje ndërkombëtare. Miratimi i saj i siguroi njohjen formale shtetit të Kosovës dhe implementoi deklarata e pavarësisë. Për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, në të njëjtin vit u themelua gjykata kushtetuese e cila ndër vite ka marrë vendime të shumta.