Kampionati Kombëtar i Volejbollit për meshkuj është në fazën e fundit të sezonit. Finalja e parë mes Partizanit dhe Tiranës foli për bardheblutë e Arben Sakos, duke fituar 1-3 me sete. Ndeshja ka qenë e luftuar në parket, duke mos munguar as tensioni mes volejbollistëve dhe kartonat e kuq.
Seti i parë i takoi Tiranës, që fitoi 17-25 në “Asllan Rusi”. Në të dytin, djemtë e Partizanit fituan 25-14 për të vendosur ekuilibrat. Avantazhi i bardhebluve u shënua në setin e tretë, ku Tirana fitoi në pikët shtesë 26-28. Edhe seti i katërt ishte i luftuar, me Tiranën që fitoi vetëm me dy pikë avantazh 23-25. Dueli pati edhe tension dhe përplasje në parket.
Nigeriani Izuçuku Oforah i Partizanit u përplas me turkun Ali Berke Saghir të Tiranës. Një sherr që degjeneroi deri në kacafytje, duke kaluar rrjetën. Aty ndërhyn dhe Denis Demko i bardhebluve dhe kështu kanë vërshuar pothuajse të gjithë lojtarët, me idenë e uljes së tensionit dhe sheshimin e sherrit.
Në fund kryesori Enri Zenullari i ndëshkoi me karton të kuq të tre lojtarët e përfshirë në këtë situatë: Oforah nga Partizani dhe Saghir e Demko nga Tirana.
Finalja e dytë mes dy skuadrave do luhet në 17 prill në orën 19:00 dhe e treta në 20 prill në 18:30.