MENU
klinika

Mediat serbe japin alarmin

Veriu i Kosovës “fuçi baruti” për zgjedhje…

22.04.2023 - 12:39

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës do të mbahen nesër, të dielën e 23 prillit, dhe ndonëse kundërshtohen nga serbët, të cilët janë popullsia shumicë aty, Amerika dhe Bashkimi Evropian do t’i njohin ato. Kjo është arsyeja pse ky akt duket se do të çojë në jostabilitet të ri politik, sipas bashkëbiseduesve të medias serbe Blic, që theksojnë se zgjedhjet po zhvillohen në rrethana që nuk janë parë më herët në historinë moderne të demokracisë dhe se njësitë speciale të policisë do të presin votuesit e mundshëm me “gishtin në këmbëz”. Me gjithë këto rrethana shtrohet pyetja: cilat do të jenë pasojat e zgjedhjeve, nëse shqiptarët vendosen në krye të bashkive? Si do të ndikojnë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe?

Militarizimi i tepruar

Dragiša Mijaçiç, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, thotë për Blic se rrethanat në të cilat po ndodhin nuk janë aspak demokratike. “Zgjedhjet organizohen në rrethana që nuk janë parë më herët në historinë moderne të demokracisë. Ato do të zhvillohen në rrethana të militarizimit të tepruar dhe pjesëtarët e njësive speciale të policisë do t’i mirëpresin votuesit e mundshëm me ‘gishtin në këmbëz’”, thekson ai. Sido që të jenë rezultatet e atyre zgjedhjeve, thekson Mijaçiç, serbët nga veriu që jetojnë në atë zonë nuk do t’i pranojnë ato. “Është e sigurt se me këtë akt po hyjmë në një destabilitet të ri politik”, shprehet Mijaçiç. Misteri më i madh, sipas tij, është se si shqiptarët që do të zgjidhen në këto zgjedhje do të punojnë. “Ardhja e tyre në punë ndoshta do të shoqërohet nga forca të forta sigurie, të cilat mund të provokojnë popullsinë vendase dhe të çojnë në konflikt”, thotë Mijaçiç.

Ndikimi tek Asociacioni

“Zgjedhjet nuk duhet të ndikojnë në Asociacion. Atë mund ta formojnë gjashtë komuna me shumicë serbe nga jugu i Kosovës dhe komunat nga veriu t’i bashkohen më vonë, pas zgjedhjeve që do të organizoheshin në një atmosferë demokratike”, beson Mijaçiç. Megjithatë, Igor Novakoviç, drejtor i kërkimit në Qendrën për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC), nuk është aq i sigurt. Ai beson se rezultatet e zgjedhjeve mund të reflektohen edhe tek Asociacioni.

Reagimi i SHBA dhe QUINT

Me gjithë këto dilema, i dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar , tha se SHBA do t’i njohë zgjedhjet edhe nëse serbët i bojkotojnë. “I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si probleme, por duhet patjetër të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të marrin pjesë, nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet”, tha Escobar. Edhe QUINT ka deklaruar se 5 vendet mendojnë që që zgjedhjet duhet të mbahen. Ata shprehën keqardhjen që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të marrë pjesë në zgjedhje.

Thirrja e Vuçiç

Tani për tani nuk ka kthim, siç tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Ai ka thënë se e di që “kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës” dhe ka bërë thirrje “të gjithë të jenë të bashkuar”. Siç tha ai, vetëm një përqindje e vogël do të votojnë. Në listë janë 19 qendra votimi dhe për monitorimin e zgjedhjeve janë akredituar 375 vëzhgues,75 në emër të subjekteve politike, ndërsa 109 në emër të organizatave joqeveritare. Në mesin e kandidatëve, dy ishin serbë, por Partia Serbe e Kosovës me Aleksandër Jabllanoviçin u tërhoq. Sakaq, Sllagjana Pantoviç do të jetë kandidate e pavarur për kryetare të komunës së Zveçanit. Kandidatët e tjerë janë shqiptarë etnikë nga partitë parlamentare.

Shtyrja e zgjedhjeve

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës u shpallën kur serbët vendosën të largohen nga institucionet e Prishtinës, të pakënaqur me faktin se kanë 10 vite që presin formimin e Asociacionit. Në atë kohë nga institucionet e Kosovës në veri u larguan edhe punonjës në administratë, polici dhe gjyqësor. Në dhjetor, nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare, Prishtina i shtyu për 4 muaj zgjedhjet. Edhe këtë herë, pati sërish thirrje por u vendos të mos kishte shtyrje tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN