MENU
klinika

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së

Vijon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë

19.04.2023 - 11:27

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka nisur intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë, ndërsa seanca vijon me dyer të mbyllura.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar deri në 12 orë për intervistimin e tij. Kjo është dita e tretë që dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) paraqitet para trupit gjykues.

Të hënën dhe të martën ai iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe pastaj të mbrojtjes së viktimave.

Gjatë ditës së djeshme, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.

Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në UÇK dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK. Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.

Megjithatë, dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.

Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatë ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së, ndërsa seancat janë mbajtur private. Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN