Arrestohen në Angli 3 nga grupi i 6 vrasësve të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.
Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi për Top Channel, se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.
Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykatë e Lezhës.
Sipas Top Channel operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA. Në këtë seancë një prokuror anglez i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.