MENU
klinika

Moszbatimi i marrëveshjes me Kosovën

VV kërkon sanksione ndaj Serbisë

29.04.2023 - 14:08

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kërkon nga Bashkimi Evropian të sanksionojë Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Kusari-Lila thotë për KosovaPress se është e vështirë të ketë pritje të mëdha në takimin e radhës Kurti-Vuçiq në Bruksel, derisa Serbia vazhdimisht po e shkel marrëveshjen të arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe atë për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

“Kemi parë dy shkelje flagrante të fundit, ajo e interferimit të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore, por edhe votimi kundër në fazën e parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës”, thekson Kusari-Lila.

Sipas saj, e rëndësishme është që në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosova të jetë palë konstruktive, që pastaj mos të ketë asnjë pengesë politike për rrugën e vendit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo thotë se Këshilli i Evropës është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për Kosovën, ku mund të verifikohen dhe të merren mendime në raport me organizimet e komuniteteve pakicë.

Në anën tjetër, Kusar-Lila, nënvizon se pas zgjedhjeve në katër komunat veriore tani ka një realitet të ri atje. Megjithatë, ajo pranon se do të ketë sfida në ushtrimin e mandatit të kryetarëve të rinj në veri.

“Tash është një realitet i ri, i cili do të kërkojë shumë më tepër angazhim për të funksionalizuar dhe natyrisht pasur edhe një mbarëvajtje të ushtrimit të detyrave të marra nga të zgjedhurit në katër komuna dhe dy asambletë komunale”, përfundon Kusari-Lila.

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin