MENU
klinika

Ceremonia madhështore

13 gjuajtje topash në mbarë Anglinë, kurorëzohet zyrtarisht Mbreti Charles III

06.05.2023 - 14:29

Charles III u kurorëzua zyrtarisht si Mbret i Mbretërisë së Bashkuar, mesditën e kësaj të shtune, në një ceremoni ku janë të pranishëm më shumë se 2,000 të ftuar nga e gjithë bota. Edhe bashkëshortja e tij, nuk do të quhet më “bashkëshortja mbretëreshë”, por nga sot do ketë titullin “Mbretëreshë Camilla”.

Të pranishmit në The Mall brohoritën “Zoti e ruajttë Mbretin”, shoqëruar me duartrokitje, ndërsa Mbreti u kurorëzua në Westminster Abbey.

Menjëherë pas betimit të Mbretit Charles III, këmbanat e abacisë nisën të bien, u dëgjuan boritë dhe përshëndetjet me armë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. 13 gjuajtje topi u kryen gjithashtu si përshëndetje për monarkun e ri, të mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Mbreti dhe Mbretëresha Camilla në ceremoninë e kurorëzimit
Mbreti Charles III u ngjit në fron pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, më 8 shtator 2022, duke u bërë monarku i ri më i vjetër në moshë në historinë britanike. Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, Charles u bë Mbret, por sipas traditës ai duhet të priste deri më sot, përpara se të kurorëzohej zyrtarisht.

73-vjecari, Charles III, është më i madhi nga katër fëmijët e Mbretëreshës së ndjerë, Elizabeth II dhe bashkëshortit të saj, Princit Philip. Kur e ëma mori fronin në moshën 25-vjeçare, ai u bë trashëgimtari fronit të Britanisë në moshën 3-vjeçare. Titujt e Charles përfshijnë Princin e Uellsit, Dukën e Cornwall-it, Dukën e Rothesay dhe Konti i Carrick.

Mbreti dhe Mbretëresha largohen nga Pallati Buckingham në rrugën e tyre për në kurorëzimin
Charles u martua me Princeshën e Wellsit, Diana Spencer në vitin 1981, të njohur më së shumti si Lady Diana. Ata kishin dy fëmijë, princat William dhe Harry. Pas vdekjes së Dianës në 1997, në vitin 2005 Charles u martua me Camilla Parker Bowles, e njohur tani si Dukesha e Cornwall.

Në vend që të edukohej në mënyrë private në Pallatin Mbretëror, Charles u dërgua në shkollë dhe pas kësaj ai u diplomua në Fakultetin e Arteve në Kembrixh. Princi i ri më pas shërbeu në Forcën Ajrore Mbretërore, si edhe në Marinën Mbretërore, duke u vendosur në disa anije luftarake gjatë viteve 1970.