MENU
klinika

150 avionë luftarakë dhe 3 mijë ushtarë

NATO po “i tregon dhëmbët” Putinit edhe në Arktik

31.05.2023 - 08:30

Nga Marsela Shytia

Arktiku është një zonë neutrale ndërkombëtarisht që është mbajtur prej kohësh larg gjeopolitikës. Por ndryshimi i klimës ka nxitur tensione në rajonin e largët polar pasi përplasja e interesave strategjike dhe shkrirja e akullit do ta ndryshojnë atë në mënyrë dramatike. Ndryshimi i ri në strategjinë e Moskës mund të provokojë një konfrontim të ri midis fuqive të mëdha botërore.  Aktualisht, Rusia është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në botë pas SHBA-së, por nëse kap burimet e Arktikut mund të ngjitet në vendin e parë. Arktiku, për më tepër, është një pozicion kyç për Putinin. Shtetet e Bashkuara janë një tjetër nga fuqitë e mëdha të përkushtuara ndaj rajonit. Hyrja e Finlandës në NATO, anëtarësimi i mundshëm i Suedisë, si dhe një stërvitje që i “tregon dhëmbët” Rusisë, vetëm sa përforcon idenë se tensionet mund të rriten dhe poli i Veriut të kthehet papritur në një “shesh lufte”.

“Dridhet” Rusia, 150 avionë luftarakë dhe 3 mijë

Stërvitja ACE

Nga 29 maji deri më 9 qershor, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia presin stërvitjen ndërkombëtare Arctic Challenge 2023 (ACE), këtë vit në edicionin e gjashtë. Stërvitja organizohet gjithmonë, çdo dy vjet që nga viti 2013, nga tre kombet skandinave. Manovrat, të cilat janë pjesë e bashkëpunimit nordik të mbrojtjes Nordefco, menaxhohen nga katër baza, Orland në Norvegji, Kallax në Suedi dhe Rovaniemi dhe Pirkkala në Finlandë, përfshijnë forcat ajrore të 14 vendeve të ndryshme dhe NATO-n dhe mobilizojnë mbi 3,000 njësi personeli dhe rreth 150 avionë. Në përgjithësi, Forcat Ajrore Suedeze, Norvegjeze dhe Finlandeze kryejnë rregullisht trajnime të kombinuara ndërkufitare në lidhje me luftimet ajrore të operuara nga bazat e tyre vendase. Nuk është për t’u habitur që qëllimi fillestar i ACE ishte që Stokholmi, Oslo dhe Helsinki të praktikonin së bashku, jashtë kufijve të tyre përkatës, stërvitje të përbashkëta ajrore në funksion të nevojave të mundshme. Gjithsesi, situata gjeopolitike globale ka ndryshuar tërësisht, si dhe statusi i Finlandës dhe Suedisë, sa i përket anëtarësimit. ACE, e cila në fakt është bërë një mundësi unike për trajnime të përbashkëta midis aleatëve, ka përfshirë kështu edhe më shumë vende partnere. Dhe rezultati është mozaiku i sotëm.

NATO “tregon dhëmbët”

Forcat Ajrore Finlandeze janë përgjegjëse për planifikimin dhe drejtimin e ACE 2023, një nga stërvitjet më të mëdha ajrore në Evropë këtë vit. Pjesëmarrësit e këtij viti janë: Danimarka, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar , Gjermania, Holanda, Franca, Belgjika, Zvicra, Republika Çeke dhe Italia. NATO do të marrë pjesë me avionë të pajisur me Sistemin e Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (Awacs). ACE 2023 është edicioni i parë me Finlandën anëtare të Aleancës Atlantike, si dhe stërvitja e parë e madhe që përfshin luftëtarët F-35. Këta luftëtarë të gjeneratës së pestë do të marrin pjesë nga Norvegjia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Italia. “Stërvitja Arctic Challenge tashmë është krijuar mirë si një koncept i stërvitjes nordike, i cili, në formën e tij aktuale, u ofron pjesëmarrësve mundësinë për të zhvilluar bashkëpunimin midis avionëve luftarakë të gjeneratës së katërt dhe të pestë dhe sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore. Zona e stërvitjes është e madhe, duke lejuar stërvitjen për skenarë sfidues taktikisht me një numër të madh avionësh, ” tha në një deklaratë për shtyp Zëvendës Shefi i Operacioneve të Shtabit të Forcave Ajrore Finlandeze, Henrik Elo.

DVIDS - Images - Arctic Gold 23-2 tests 354th FW ACE operations [Image 1 of 5]

Mesazhi për Moskën

Nëse në fillim ACE mund të konsiderohej një stërvitje rutinë për mbrojtjen e zonës nordike, tani ajo mund të shihet si një mesazh i qartë drejtuar Rusisë, rivalit kryesor të NATO-s. Prandaj, qëllimi është të forcojë aftësinë e pjesëmarrësve për të kryer detyra luftarake brenda operacioneve të mëdha ajrore shumëkombëshe, në mënyrë të sigurt dhe efektive. Për më tepër, këto manovra thirren për të zhvilluar metoda dhe taktika luftarake ajrore midis llojeve të ndryshme të avionëve të përfshirë. Përveç F-35, stërvitja përfshin F16, Jas Gripen dhe F/A-18 Hornets si dhe aeroplanë ndërlidhës, transportues dhe cisterna.