Si sot, 56 vite më parë, vdiq Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) prozatori i shquar i letërsisë shqipe, tregimtari i rrëfenjave të moçme shqiptare.
Krijues i prozës moderniste shqiptare e cila ndërtohej mbi një gjuhë të pasur dhe të kuruar bukur. Ekonomist dhe atdhetar i cili vuri në piedestal interesat e vendit ashtu si edhe shkruhet në amanetin e përcjellë për pasardhësit edhe bashkëkombasit e tij:
“… ta donin vendin dhe gjuhën e vet gjer në vuajtje”.
Dhimitr Pasko u lind më 13 shtator 1907, djali i vetëm i Pandit dhe Poles, mes motrave Agllaia e Liria. I ati ishte rrobaqepës, që kish jetuar në Rumani për 24 vite, duke punuar si murator e bojaxhi. Kishte miqësi me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare si Dervish Hima, Mihal Grameno, Menduh bej Zavalani, Telemak Gërmenji, etj. Pas shpalljes së Hyrrijetit më 1908, hapi të parën librari shqipe në Pogradec, gjë për të cilën u përndoq më pas nga autoritetet e regjimit xhonturk.
Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919, pas dy viteve shkoi në Selanik me anë të një burse për shkollën tregtare rumune. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur “Kostandin Kristoforidhi”. Më 1928 shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëherësh edhe si llogaritar. Ndiqte kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte shkrim e lexim në greqisht e latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Qe sekretar dhe më 1931-’34 kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë, ndërkohë më 1928-’33 drejtoi gazetën Shqipëria e Re që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën Shënime Letrare. Më 1931 u diplomua dhe në shkurt të 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin “Diplomam Magnam cum Laudæ”.
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan në janar të 1942 dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Rrugës i mbërriti një telegram që e njoftonte për të ëmën që e kishte sëmurë, miqtë në Bukuresht i siguruan lejen dhe e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t’arrijë në Pogradec në shtator 1942; e ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.
Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian. Pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare. Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Min. e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar.
Qe ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i këshillit të parë të saj dhe i komitetit drejtues të revistës Bota e Re. Njëherësh në ekonomi, pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.
Kur u hap Instituti i Folklorit, iu kërkua nga drejtori Shuteriqi material për lëndën e folklorit dhe ishin në fjalë për ta caktuar pedagog. Por mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t’ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik, sikur qe pjesë e Rojës së Hekurt.
Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për “agjitacion e propagandë” me 5 vite heqje lirie, hetuesinë ia bëri kap. Beqir Ndou. Pasi kaloi dënimin në kampin e Vloçishtit në Maliq, u lirua nga burgu në maj 1949 me falje. Pas daljes nga burgu familjes Pasko iu kanos internimi në Kavajë. Dokumentet u damkosën me vulën “Armik i Popullit”. Ai bëri lutje në Ministrinë e Brendshme dhe në kryeministri por nuk mori përgjigje. Pastaj iu drejtua Fadil Paçramit i cili zgjidhi problemin, që të nesërmen ua zëvendësuan dokumentet e damkosura me dokumente të reja. Pastaj i dhanë punë si përkthyes te “Zëri i Popullit”, fillimisht te Mesagjeria te “Burgu i Armiqve të Popullit, Punëtoria Qendrore e Artizanatit e Ministrisë së Punëve të Brendshme” në Tiranë deri më 1953. U transferua në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” deri më 1967 – ku nga fundi i jetës me shkëputje – dhe iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit nga vera e vitit 1966 dhe iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.
Ndërroi jetë më 4 maj 1967 nga problemet me zemër pa perfunduar dot romanin ilir. Bashkëshortja e tij Efterpi Pasko ndërroi jetë në mars 2019. Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit u përfol edhe pas vdekjes së Paskos.