Turqia do të mbajë më 14 maj zgjedhjet e saj më të rëndësishme ndër dekada.
Për 20 vitet e fundit, presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e kanë udhëhequr vendin drejt një rruge autoritare, duke zhdukur kontrollet dhe balancat midis pushteteve dhe duke shtypur çdo zë kundër.
Ata kanë vendosur nën kontroll median, kanë burgosur kundërshtarët politikë dhe shtypur shoqërinë civile. Gara e njëkohshme presidenciale dhe parlamentare do të përcaktojë nëse kjo trajektore do të vazhdojë apo do të ndërpritet.
Megjithëse Erdogan e ka drejtuar Turqinë drejt autokracisë, fusha politike e vendit mbetet konkurruese dhe pluraliste.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga votimet dhe me vendin të zhytur në një krizë ekonomike dhe të dërrmuar nga tërmetet e forta të muajit shkurt, opozita kryeson në disa sondazhe. Zgjedhjet turke nuk do të jenë të lira apo të ndershme, megjithatë ato mund të shënojnë fundin e karrierës politike të Erdogan.
Erdogan dhe partia e tij kanë ndërhyrë disa herë në zgjedhje në dekadën e fundit, por jo gjithmonë me sukses. Në vitin 2014, kur kandidati i AKP-së dukej se do të humbiste garën për kryetar bashkie në kryeqytetin Ankara, raportimi i Komisionit të Lartë Zgjedhor mbi numërimin e votave u ndal papritur për disa orë, vetëm për të rifilluar me kandidatin e AKP-së si fitues.
Ankesa e opozitës për ato zgjedhje u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Në vitin 2017, pas mbylljes së një referendumi kushtetues, që e transformoi Turqinë nga një sistem parlamentar në një sistem presidencial, gjyqtarët që mbikëqyrnin procesin njoftuan se fletëvotimet do të numëroheshin edhe nëse atyre u mungonte vula zyrtare e vlefshmërisë. Askush nuk e di se sa fletë votimi pa vulë u numëruan për shkak të këtij vendimi, dhe referendumi kaloi me pak më shumë se 51 për qind të votave.
Ndërkohë në vitin 2019, kur AKP-ja humbi zgjedhjet lokale për kryetarin e bashkisë së Stambollit, gjyqtarët u kapën pas akuzave paqena për parregullsi në qendrat e votimit, duke përmbysur verdiktin e qytetarëve dhe ripërsëritur procesin, të cilin më pas opozita e fitoi me një diferencë edhe më të madhe.
Këtë vit, AKP ka në dispozicion një gamë të gjerë taktikash që mund t’i përdorë për të diktuar rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë ndryshimet e fundit në ligjet zgjedhore, persekutimin e opozitës, kriminalizimin e fjalës së lirë dhe një rritje të shpenzimeve publike për të joshur votuesit.
Në vitin 2022, AKP-ja dhe partneri i saj i koalicionit parlamentar, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), miratuan disa ndryshime në ligjin zgjedhor pavarësisht kundërshtimeve të opozitës. Reformat më të rëndësishme po ndikojnë në përzgjedhjen e gjyqtarëve, të cilët vendosin mbi mosmarrëveshjet zgjedhore në Këshillin e Lartë Zgjedhor (YSK), që mbikëqyr të gjitha zgjedhjet në Turqi.
Tani gjyqtarët e YSK do të zgjidhen me short dhe jo bazuar në kriterin e vjetërsisë në punë.
Erdogan e spastroi gjyqësorin pas tentativës për grusht shteti të vitit 2016, dhe sipas “Reuters” 45 për qind e 21.000 gjyqtarëve të Turqisë kishin në vitin 2020 3 ose më pak vite përvojë.
Kjo lotari i rrit shanset që gjyqtarët e emëruar nga AKP të merren me ankesat zgjedhore. Për më tepër, YSK emëroi në janar një person me lidhje familjare me një nga aleatët e Erdogan.
Dhe deri tani YSK ka marrë disa vendime në favor të AKP-së. Në një rast, ky organ lejoi 15 ministra të qeverisë, të cilët garojnë si kandidatë për deputetë të AKP-së, që të vazhdojnë detyrat e tyre si ministra edhe gjatë fushatës, duke u garantuar atyre qasje të vazhdueshme në burimet e ministrive që drejtojnë.
Duke u mbështetur tek një sistem i mbushur me gjyqtarë besnikë, AKP-ja i ka përdorur gjykatat për të penguar garimin në zgjedhje të disa rivalëve. Kështu Selahattin Demirtas, bashkëthemeluesi i Partisë Demokratike Popullore (HDP) pro-kurde të krahut të majtë, gjendet në burg që nga viti 2016 me disa akuza, përfshirë shpërndarjen e propagandës pro terrorizmit, pavarësisht vendimeve të përsëritura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut se ai duhet të jetë liruar.
Shumë politikanë dhe kryebashkiakë të tjerë të HDP-së janë burgosur ose larguar nga detyra, që kur u ndërprenë në vitin 2015 bisedimet e paqes midis shtetit dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Pasi kandidoi nga burgu në raundin e fundit të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2018, Demirtas dhe HDP kanë refuzuar të paraqesin një kandidat këtë vit, duke deklaruar mbështetjen e tyre për koalicionin e gjerë opozitar të udhëhequr nga Partia Popullore Republikane e qendrës së majtë (CHP).
Vetë HDP mund të nxirret tërësisht jashtë ligjit përmes një çështje gjyqësore që po shqyrtohet aktualisht nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë, pavarësisht kërkesës së partisë për ta shtyrë vendimin e mundshëm deri pas zgjedhjeve. Padia është ngritur nga një prokuror i shtetit, që pretendon se HDP është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Për të shmangur një ndalim të mundshëm, HDP ka zgjedhur të kandidojë me kandidatët e saj në listën e partisë së Majtë të Gjelbër.
Javën e kaluar, autoritetet arrestuan 126 persona, duke përfshirë shumë anëtarë të lartë të partisë HDP, si dhe gazetarë, avokatë dhe artistë kurdë.
Midis të arrestuarve ka avokatë që ishin caktuar të dilnin vullnetarë si vëzhgues të zgjedhjeve por edhe gazetarë që ishin shprehur të gatshëm të raportonin mbi parregullsitë e pritshme. Po ashtu, gjykatat u përdorën për të diktuar kandidaturën e koalicionit kryesor të opozitës.
Në dhjetor 2022, një gjykatë vendosi që komentet përçmuese të anëtarit të CHP-së dhe kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu ndaj gjyqtarët që e përmbysën fitoren e tij të parë si kryetar bashkie në vitin 2019 përbënin një fyerje të paligjshme ndaj zyrtarëve publikë. Nëse shpallet fajtor, përballet me një dënim të mundshëm prej 2 vite e gjysmë burg, dhe ndalimin për të marrë pjesë në politikë.
Vendimi i gjykatës solli përçarje midis dy partive më të mëdha të bllokut opozitar – CHP dhe Partia e Mirë – që më në fund propozuan kreun e CHP Kemal Kilicdaroglu si kandidatin e tyre të përbashkët për president. Me afrimin e zgjedhjeve, opozita është përballur jo vetëm me presion ligjor, por edhe me sulmet e armatosura.
Vendi është famëkeq për burgosjen e gazetarëve dhe kufizimin e shprehjes së lirë.
Tetorin e vitit të kaluar, koalicioni qeverisës AKP-MHP miratoi një ligj që kriminalizon “dezinformimin” në internet dhe vendos kërkesa të forta ndaj kompanive të mediave sociale për të ndaluar përhapjen e tij, në të kundërt do të bllokohen.
Autoritetet turke kanë ndjekur vazhdimisht përdoruesit e zakonshëm të mediave sociale me akuzat për fyerje dhe terrorizëm. Edhe ligji i ri do të përdoret me siguri për të shtypur fjalën e lirë dhe format e tjera të mospajtimit. Me median e shkruar dhe atë elektronike nën kontrollin e fortë të qeverisë, fushata e opozitës ka hasur shumë vështirësi për të pasur mbulim në mediat kryesore.
Ndaj mediat sociale – pavarësisht të gjitha të metave – kanë qenë një rrugë shpëtimi. Ndaj perspektiva e më shumë ndjekjeve penale për fjalimin në internet sipas ligjit të ri të dezinformimit, ka një efekt shumë negativ mbi gazetarinë e pavarur dhe aftësinë e opozitës për të arritur tek votuesit, veçanërisht për çështje të ndjeshme si manipulimi i mundshëm i numërimit të votave.
Në prag të zgjedhjeve, Erdogan ka bërë një sërë rritjesh të shpenzimeve sociale, që synojnë të joshin mbështetësit dhe frenojnë kritikat e opozitës ndaj politikës së tij ekonomike. Në dhjetor ai tha se qeveria do të rrisë me 55 për qind pagën minimale dhe do të eliminojë kushtin minimal të moshës për pension për rreth 2.3 milionë punëtorë nëse plotësojnë disa kritere.
Në janar, presidenti njoftoi rritjen me 30 për qind të pagave të nëpunësve civilë. Opozita e Turqisë përballet me detyrën e frikshme të mposhtjes së AKP-në në kutinë e votimit. Pas dy dekadash në pushtet, Erdogan ka konsoliduar kontrollin shtetëror në një mënyrë që është e paprecedentë në 75 vitet e politikës shumëpartiake të vendit.
Një rrezik është që opozita të fitojë me një diferencë të vogël dhe Erdogan ta përmbysë, siç edhe ka ndodhur ne vitet 2014, 2017 dhe 2019. Një rrezik tjetër është se opozita mund të fitojë thellë, por Erdogan do të refuzojë ta pranojë humbjen, duke krijuar një përballje të paprecedentë mes dy kampeve.
Nate Schenkkan, drejtor i lartë i kërkimeve në Freedom House. Aykut Garipoglu, ekspert për Programet e Evropës dhe Euroazisë në Freedom House.
Burimi: Foreign Policy