MENU
klinika

Analiza

Amerikanët kanë shumë arsye për ta larguar Biden-in

01.05.2023 - 15:02

A mund t’i mbijetojë Amerika një presidence të dytë të Xho Bajden dhe potencialisht 5 vjet e gjysmë të tjerë të administratës më ekstremisht të majtë në historinë e SHBA-së?

Rreziqet janë shumë të mëdha, dhe populli amerikan po shqetësohet gjithnjë e më shumë për atë që mund të rezervojë për ta ardhmja.

Në çdo front, superfuqia e botës është në një kaos të vërtetë. Shumë amerikanë me të cilët kam biseduar në të gjithë këtë vend të madh javët e fundit, sidomos ata që nuk kanë lidhje me Uashingtonin, besojnë se Shtetet e Bashkuara po bëhen hija e vetes dhe po marrin një rrugë tepër të rrezikshme.

Kjo pasqyrohet në sondazhin e fundit të RealClearPolitics. Mbi 64 për qind e amerikanëve besojnë se vendi po ecën në “drejtim të gabuar”, me vetëm 1 në 4 amerikanë që thonë se SHBA-ja është duke lëvizur në “rrugën e duhur”.

Përplasjet kulturore janë një faktor gjithnjë e më ndikues i këtij zhgënjimi, dhe guvernatorët republikanë si Ron DeSantis i Floridës, Glen Jangkin i Virxhinias dhe Greg Ebot i Teksasit, e kanë përkrahur me një sukses në rritje luftën kundër axhendës të së majtës radikale.

Ata i kanë shpallur luftë përpjekjeve të së majtës për të futur në zbatim teorinë kritike të racës dhe ideologjinë transgjinore ekstremiste në shkollat publike.

Po ashtu, ata kanë luftuar për të mbrojtur gratë sportiste. Nga ana tjetër, prindërit amerikanë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për atë që perceptohet gjerësisht si indoktrinim i drejtpërdrejtë politik në një numër të madh shkollash në SHBA të administruara nga “progresistët”, të cilët mbështeten fuqishëm nga Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Bajden.

Po ashtu, amerikanët janë shumë thellësisht të shqetësuar nga dhuna dhe paligjshmëria në rritje në qytetet e mëdha të drejtuara nga demokratët, nga Nju Jorku në Los Anxhelos.

Biden Is Running For Reelection. What Are His Chances For 2024? | FiveThirtyEight

Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i fushatave të së majtës ekstreme për “reduktimin e fondeve për policinë” dhe qasjes së butë ndaj krimit të ndërmarrë nga kryebashkiakët liberalë dhe prokurorët e qarqeve.

Skenat e fundit të anarkisë dhe rrahjeve brutal nga turmat e të rinjve në rrugët e qendrës së Çikagos, si dhe grabitjet e pafundme të dyqaneve në Kaliforni, e kanë tmerruar popullin amerikan. San Francisko, dikur një elektromotor i sipërmarrjes private, tani po humbet me shpejtësi banorët e tij, për shkak të frikës ndaj niveleve të frikshme të krimit të dhunshëm, të pastrehëve dhe keqqeverisjes së drejtpërdrejtë të demokratëve.

Portlend, ultra-liberal dhe dikur një nga qytetet më të sigurta të Amerikës, po përballet me një mbyllje në masë dhe zhvendosjeve të bizneseve diku tjetër për shkak të një vale trazirash pas reduktimit të madh të numrit të punonjësve të policisë dhe sulmeve të përhapura të kryera nga grupet e krahut të majtë.

Përgjigja e Bajden ndaj kriminalitetit në rritje në Amerikë ka qenë praktikisht inekzistente. Po ashtu refuzimi i tij për të ndërmarrë ndonjë veprim efektiv për krizën e madhe të emigrantëve të paligjshëm në kufirin jugor të SHBA-së, ka qenë një abdikim tronditës nga përgjegjësitë, duke treguar një shpërfillje mizore për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit.

Bajden duket sikur jeton në një flluskë, brenda së cilës të gjithë besojnë se axhenda e tij është jashtëzakonisht popullore dhe rruga e tij shkatërruese është e duhura për Amerikën. Ai ka një mentalitet të ngjashëm me bunkerin, i rrethuar nga ndihmës servilë, të cilët nuk duan ose kanë frikë të sfidojnë vendimet e tij të pamatura.

Axhenda ekonomike e qeverisë së madhe dhe taksave të larta qeveritare po dështon që të japë rezultate pozitive.

Inflacioni mbetet kokëfortësisht i lartë, ndërsa Rezerva Federale vazhdon të rritë çdo muaj normat e interesit. Sipas kolegëve të mi në “The Heritage Foundation”, “Akti i Reduktimit të Inflacionit” i Bajden do të shtojë një barrë të madhe shtesë për taksapaguesit amerikanë, deri në 2400 dollarë për një familje me të ardhura mesatare.

Shtetet e Bashkuara përballen ende me kërcënimin e recesionit ekonomik, dhe nën qeverisjen e Bajden janë të paaftë të gjenerojnë atë lloj rritjeje ekonomike për të cilën vendi ka shumë nevojë. Liria ekonomike po bie me shpejtësi. Aktualisht Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 25-të në botë sipas Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2023.

Biden vs. Trump 2024 would be the rematch nobody wants

Kjo e vendos atë pas 16 vendeve në Evropë, përfshirë Gjermaninë. Në skenën botërore, Bajden shihet gjerësisht si bufon, i prirur ndaj gafave të lidhura gjithnjë e më shumë me pleqërinë. Në detyrën që kam në Capitol Hill, pres shpesh delegacione zyrtarësh nga e gjithë Evropa.
Dhe zhgënjimi me udhëheqjen ndërkombëtare të Bajden është më se i dukshëm. Shumë politikanë të Evropës kontinentale, veçanërisht nga Evropa Lindore dhe Qendrore, mendojnë se Amerika po humbet lidershipin e saj global. Këto pikëpamje ndahen gjerësisht edhe në Britaninë e Madhe.

Gjatë një sërë takimesh me deputetë, politikë-bërës dhe gazetarë britanikë në vizitën time të fundit në Londër, më bëri përshtypje shkalla në të cilën Bajden shihej nga miku dhe aleati më i ngushtë i Amerikës si një kërcënim i vërtetë për marrëdhëniet speciale SHBA/Britani dhe për pozitën e Amerikës në botë.

Politika e jashtme e Presidentit ka qenë vazhdimisht kaotike. Aleatët e vërtetë dhe të besueshëm, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Izraelin, janë trajtuar me përbuzje, ndërkohë që presidenti është sjellë si i nënshtruar ndaj Gjermanisë, Francës dhe BE-së.

Bajden ishte jashtëzakonisht i ngadaltë për të vepruar kur Rusia pushtoi Ukrainën, dhe nuk ka arritur të krijojë një strategji të përgjithshme për të luftuar ngritjen e Kinës komuniste. Dhe është e pamundur të neglizhohet dëmi i jashtëzakonshëm që i shkaktoi pozitës së SHBA-së në botë tërheqja katastrofike nga Afganistani.

Ajo la pas një trashëgimi mosbesimi dhe një perceptim të qëndrueshëm mbi dobësinë e SHBA-së.

Si një antitezë e Ronald Reganit, Bajden po e shtyn SHBA-në drejt rrugës së shkatërrimit. Është e vështirë të imagjinohet një kohë kur në Amerikë të ketë pasur më pak shpresë se sa tani me Xho Bajdenin në krye.

SHBA-ja ka dëshpërimisht nevojë për një revolucion konservator dhe për një rikthim tek parimet, idealet dhe vizionin e Etërve të saj Themelues, një botë larg vizionit gjithnjë e më të errët të Amerikës së Bajdenit. Presidenca e Xho Bajden ka qenë një katastrofë për Shtetet e Bashkuara dhe botën e lirë.

Amerikanët ndihen më pak të sigurt, më të varfër dhe më të dobët brenda dhe jashtë vendit sesa 3 vjet më parë. Një president qartësisht zhgënjyes dhe tepër arrogant është shndërruar në kukullën e ekstremit të majtë të partisë së tij dhe në arkitektin e rënies së Amerikës. Ndaj ai duhet të shihet si një nga presidentët më të këqij në historinë gati 250-vjeçare të këtij kombi të madh, në mos më i keqi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN