Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Fredi Belerin. Ai thotë se sa herë ka histori me shitblerje votash, lidhet gjithmonë me PD-në ose me LSI-në.
“E kam ndjekur lajmin në qytetin e Himarës, siç kam ndjekur edhe lajmin te Fresku, ku ishin zyrtarët e ish LSI-së ata që po merreshin me këtë punë. Unë kam përshtypjen se automatikisht, sa herë dëgjon raste të tilla, ti e di gjithmonë që lidhet o me PD-në, o me LSI-në. Pyetja për shumë njerez, ndoshta naïve, është: “Si nuk iu mbarojnë paratë? Kanë kaq vite në opozitë dhe vazhdojnë e blejnë vota?! Qartazi mendojnë se mbështetja publike, dashuria e popullit blihet dhe nuk e kuptojnë se ndoshta, për të qenë një forcë e besueshme duhet të punosh, të tregosh se ke disa rezultate. Tirana ka treguar se i shpërblen ata që punojnë, i shpërblen ata që thonë të vërtetën”, deklaroi Veliaj.
Veliaj nënvizoi se Tirana shpërblen në votime ata që punojnë dhe jo ata kandidatë që thonë gjëra të paarsyeshme, vetëm për të gënjyer për vota.
“Nuk besoj se ka njeri iluzione që në Tiranë këto parti, PD dhe LSI, mund të blejnë vota dhe të ndryshojnë rezultatet. Tirana është një realitet shumë, shumë i madh, por edhe një realitet që ka një inerci. Tirana tipikisht shpërblen në votime ata që punojnë, ata që janë më këmbë në tokë, ata që nuk thonë apo nuk bëjnë petulla me ujë dhe nuk thonë gjëra komplet të paarsyeshme, vetëm për të gënjyer për vota. Në Tiranë, gjithmonë e më pak, shohim fenomene të tilla. Jam krenar për Tiranën sepse tregon që qytetaria dhe niveli i civilizimit në Tiranë është i tillë që as nuk i qas personazhe të kësaj natyre. Për ne situata të tilla në Tiranë janë përralla nga e kaluara sepse besoj se dinjiteti me të cilin sillen qytetarët e Tiranës është mbresëlënës dhe jam krenar për këtë”, tha Veliaj.