Arsenali dhe Chelsea do të përballen sonte në derbin e Londrës. “Topçinjtë” kanë humbur pozicionin e liberit pas një kohe të gjatë, pas fitores së pakontestueshme të Manchester Cityt në fundjavë. Një fitore e tyre sonte mund t’i rikthejë sërish në krye të renditjes, ndërkohë që “Qytetarët” do të kenë dy ndeshje më pak.
Arsenali vjen pas tri barazimesh e një humbjeje në Premier League, prandaj i nevojitet gjithsesi fitorja ndaj komshinjve “Blu” për ta vazhduar garën për titull kampioni, ndonëse gjasat i janë zbehur pas humbjes në derbi me Cityn.
Nga ana tjetër, Chelsea është ‘i plagosur’ në këtë sezon duke përfunduar aktualisht në vendin e 12-të, edhe pse ishte ekipi më i përforcuar në afatin kalimtar të janarit.
Ekipi i Frank Lampardit i hyn kësaj loje pa ndonjë presion të madh, pasi i ka humbur gjasat edhe për pjesëmarrje në garat evropiane. Historia e re për ‘Blutë’ e Londrës me gjasa do të nisë sezonin e ardhshëm, duke filluar që nga përzgjedhja e trajnerit…
Ndeshja mes Arsenalit dhe Chelseat do të fillojë në “Emirates Stadium” në orën 21:00.