MENU
klinika

Vetting politikanëve, lista të hapura dhe kufizim të mandatave

Basha bën tre propozime: Të pyeten qytetarët me referendum

24.05.2023 - 17:54

Ish kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë propozimet e para pas rikthimit në skenën politike në një takim me të rinjtë pasditen e sotme.

Basha u shpreh se duhen lista të hapura, vetting për politikanët dhe kufizim të mandateve, jo më shumë se dy.

“Lista të hapura anembanë vendit, e di që jo të gjithë e duan këtë… Nuk ka rrugë tjetër që zëri i çdo qytetari të dëgjohet dhe vota të përcaktojë përfaqësuesit e vërtetë. Është koha të nisim një realitet, për t’ju imponuar politikës së vjetër që do të marrë çdo vendimmarrje në dorën e vet. Lista të hapura 100%. Kam dhe dy propozime të tjera.

Vettingu i politikanëve është propozimi i dytë. Hetim të aseteve personale dhe familjare, të njëjtat kritere që përdoren për prokurorët dhe gjyqtarët. E treta, zgjidhja që SHBA i ka dhënë korrupsionit është kufizimi jo më shumë se dy mandate. Ka ardhur koha që dhe në Shqipëri t’i vëmë fre egove të sëmura”, tha Basha.

Ai u shpreh se kjo mund të bëhet me referendum duke pyetur qytetarët për të marrë vendime të rëndësishme sa i takojnë zhvillimeve politike në vend.

“Të mos besojmë më njerëzit por rregullat. Dua të më besoni që jam serioz në këtë platformë për ta dhënë ju kontrollin mbi besimin për politikanët. Përmes listës së hapur e keni ju atë kontroll. Që ta bëjmë këtë realitet kemi në dorë të vëmë në lëvizje mekanizma kushtetues. Mundësia për ta bërë realitet një ndryshim kushtetues nuk i takon vetëm parlamentit por edhe qytetarëve. E kanë bërë të vështirë por jo të pamundur. 50 mijë qytetarë mund të vënë një lëvizje një referendum popullor për të pyetur qytetarët për listat e hapura, vettingun e politikanëve, kufizimin e mandateve, po apo jo. Këto janë çështje për të cilat shqiptarët nuk kanë pse të presin dhe të ndahen në të majtë dhe të djathtë. Nëse 700 mijë njerëz që nuk dalin për të votuar, ftesa ime të bëhemi bashkë, ndaj çdo faktori për të nisur një proces transformimi të sistemit politik. Nuk njoh rrugë tjetër. Mund të vij edhe unë me premtime për revolucion por këto premtime nisin të bujshme dhe përfundojnë të shuara. Kemi mundësinë të nisim një rrugë tjetër bashkë”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN