MENU
klinika

Aksion për tjetërsimin e pronave

Bastisje në shtëpitë e zyrtarëve në Kosovë

18.05.2023 - 12:38

Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës ka kryer bastisje mëngjesin e së mërkurës në 12 lokacione, banesa të 11 zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Prokuroria Speciale dyshon se të njëjtët kanë lidhur kontratë me procedurë të përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore në vlerë njëqindenjëzet milion euro.

Në mesin e të dyshuarve është edhe anëtari i Partisë SocialDemokrate, Dren Kukaj që në atë kohë ishte aksionar i NPB-së. Këtë bastisje e cilëson si përndjekje politike.

“Nuk kam si ta marr ndryshe sesa një përndjekje e pastër politike nga policia e Kosovës ku Ministri i Punëve të Brendshme, pa përfunduar aksioni edhe për provat që unë kam pas për t’i dorëzuar vetë del e thotë ka qenë i suksesshëm, ça ka qenë i suksesshëm?”, tha Kukaj.

E Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së thotë që për të njëjtën kontratë ka edhe dy vendime të gjykatave vendore sa i përket ligjshmërisë së kontratës.

“Që në vend që të luftojnë ata që kanë bë krim, luftojnë këta që po bëjnë opozitë. Jo rastësisht qytetarët na thonë që jemi opozita e vetme. Ata nuk kishin problem me hajninë, se e pamë si reagojnë për hajnat e veta, ata e kanë problem ata që kanë kredibilitet moral për t’i kundërshtuar”, tha Molliqaj.

Më 8 gusht të vitit 2022, Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi padi ndaj NPB-së për keqpërdorime për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë”.

Sipas tyre, janë 17 mijë metra katrorë në këtë lagje që Ndërmarrja Publike Banesore do t’i tjetërsojë në pronë private. Krahas padisë, ata kishin dorëzuar edhe kërkesë për pezullimin e punës në këto hapësira, vendim i vlefshëm ende.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po përpiqemi t’i marrim sërish, buxheti i Kosovës stabël"

Zhduken 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, flet ministrja e Financave

Pas konfirmimit të aktakuzave

EULEX bastis shtëpinë e Thaçit dhe Veselit