MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Berisha bën “thërrime” partinë e tij

15.05.2023 - 13:22

Rezultatet e zgjedhjeve të 14 Majit, humbja e madhe e Foltores dhe grupit të “Rithemelimit”, treguan shumë, për të mos folur asnjë fjalë të vetme pas daljes së rezultateve.Partia Demokratike (e Berishës) përfundimisht u bë “copë e thërrime”. Ajo, humbi Shkodrën, Kavajën, Tropojën, Shijakun, që sipas Doktorit “ishin dhe mbeten bastionet e demokratëve”. Humbja e madhe dhe ngjyrosja e hartës në fitoren e madhe të socialistëve, duhet të flasë më shumë se “pretendimet” e Berishës se “kishte vjedhje, blerje, manipulime dhe banda”.

Iku koha e mosnjohjes së rezultateve duke përdorur shkaqe banale. Shqiptarët e kanë kuptuar se nuk mund të qeverisen nga ata që duan kaosin, kthimin mbrapa, nga ata që shkatërruan rendin, ekonominë, kulturën, ushtrinë, nga ata që nxijnë imazhin e vendit në shqip dhe anglisht. Berisha e bëri “thërrime” partinë e tij, dhe ndoshta edhe atë të Alibeajt. Ka ardhur momenti që Partia Demokratike, të lihet e qetë në rrugën e saj drejt rithemelimit dhe ribashkimit nga Berisha dhe Alibeaj. Ata janë e shkuara, ata janë e ndryshkura e asaj force politike.

Një brez i ri i asaj partie, duhet të marrë në dorë fatin e saj. Koha nuk pret. Vendi ka vite që ka mbetur pa opozitë. Por sipas të gjitha gjasave, Berisha do të mbetet aty edhe pas 2025, edhe pas 2030, ç’ka tregon qartazi parashikimin e zymtë për atë parti politike. Dita e madhe e 14 Majit, humbja katastrofike e Berishës, duhet të jetë moment reflektimi i atyre që ka ish-lideri historik pranë vehtes. Nuk mund të vazhdojnë duke ulur kokën dhe miratuar gjithçka thotë dhe bën Berisha.

Ajo parti përfundimisht ka mbetur mbrapa. Ka mbetur mbrapa në ide progresiste, ka mbetur mbrapa në programe ambicioze, ka mbetur mbrapa në mendësinë e drejtimit dhe menaxhimit politik dhe njerëzor, duke humbur shansin për të qenë garuese dhe konkurente e denjë në zgjedhje vendore dhe të përgjithshme. Humbja e 14 Majit, mbetet një shans i mirë për Berishën, për të reflektuar denjësisht dhe për të treguar se e ka seriozisht përbetimin e tij se “do të zbatoj deri në fund Statutin e partisë dhe vullnetin e demokratëve”. Koha erdhi, koha nuk pret.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rama i paska fitu krejt bashkitë dhe qarqet"

Buzhala: Nuk ka më kuptim kjo opozitë në Shqipëri