MENU
klinika

Analiza

Beteja për Bakhmut-in, a ka më shpresa Rusia?

03.05.2023 - 15:29

Në Bakhmut po vazhdojnë të zhvillohen betejat më të përgjakshme mes ukrainasve dhe rusëve dhe shpesh secila palë pretendon se ka marrë nën kontroll qytetin.

Megjithatë, së fundmi ushtarët ukrainas i kanë zmbrapsur forcat ruse nga disa pozicione në Bakhmut, siç ka konfirmuar një gjeneral ukrainas. “Situata është mjaft e vështirë,” postoi në Telegram, gjenerali Oleksandr Sirski, komandant i forcave tokësore të Ukrainës.

“Në të njëjtën kohë, në pjesë të caktuara të qytetit, armiku përjetoi një kundërsulm nga njësitë tona dhe braktisi disa pozicione në ditët e fundit”, tha Sirski. Beteja disamujore për qytetin në Ukrainën lindore ka marrë një rëndësi simbolike për të dyja palët pasi ka pasur pak përparim që nga fundi i vitit 2022.

“Njësitë e reja ruse, duke përfshirë parashutistët dhe luftëtarët nga grupi mercenar Wagner, po e vazhdojnë betejën pavarësisht humbjeve të mëdha”, tha Sirski.

“Por armiku nuk është në gjendje të marrë kontrollin e qytetit”, shtoi gjenerali ukrainas.

Sakaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën, duke cituar inteligjencën amerikane, se në pesë muajt e fundit, rreth 80,000 luftëtarë rusë janë plagosur në Ukrainë dhe më shumë se 20,000 janë vrarë, pothuajse gjysma e tyre nga grupi Wagner.

Ndërsa për palën ukrainase nuk është dhënë asnjë informacion. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Rusia po paguante një çmim shumë të lartë duke iu referuar numrit të madh të viktimave.

Nga ana tjetër, kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin ka thënë se forcat e tij kishin avancuar rreth 120 metra në Bakhmut.

Ndërkohë, Kievi pritet të nisë së shpejti një kundërofensivë për të çliruar pjesë territori në Ukrainën lindore e jugore.