Opozita turke nuk ka qenë kurrë aq shpresëdhënëse sa sot. Me gjithë vështirësitë e shumta me të cilat është përballur 2 dekadat e fundit, nuk janë rreshtuar kurrë më parë kaq shumë faktorë kundër presidentit Rcep Tayyip Erdogan dhe Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP.
Ekonomia po shkon në pikiatë. Zhvlerësimi i vazhdueshëm i lirës që nga viti 2018 dhe asnjë nga politikat e rastësishme të qeverisë nuk mundi që ta kthente atë në rrugën e duhur.
Ndërkohë është rritur varfëria, duke përfshirë edhe vetë bazën e mbështetësve të AKP-së, ndërsa është në rritje shqetësimi në lidhje me administrimin autokratik të vendi nga Erdogan.
Tërmeti që e shkatërroi vendin në shkurt, duke shkaktuar më shumë se 50.000 të vdekur dhe dëme të panumërta, duket të jetë pika që do të derdhë gotën. Ironikisht, ishte një tjetër tërmet i fortë, në vitin 1999, që ndihmoi në ngjitjen në pushtet të AKP-së disa vite më vonë.
Në atë kohë, kur fatkeqësia natyrore nxorri në pah falimentimin e partive kryesore, partia e zotit Erdogan shihej si e vetmja e papërlyer nga korrupsioni dhe si kompetente. Tani është prishur edhe imazhi i kompetencës. Nëse gjykojmë nga sondazhet, duket sikur votuesit turq mund t’i japin të dielën fund sundimit 21-vjeçar konservator dhe autoritar të AKP-së.
Sigurisht, kjo është një perspektivë emocionuese.
Por çdo eufori është e parakohshme. Nëse opozita do të fitojë, ajo do të përballet me të njëjtat probleme strukturore që e kanë penguar prej vitesh ecurinë ekonomike të vendit. Edhe nëse Erdogan do të rrëzohet nga froni, projekti i tij politik do të jetë po aty.
Kjo duhet të mjaftojë për të frenuar entuziazmin e tepruar. Turqia mund të shpëtojë së shpejti nga lideri i saj autokratik, por ajo mbetet në telashe të mëdha. Një nga fjalët më të zakonshme që përdor opozita është “restaurim”. Gjashtë partitë opozitare që përbëjnë koalicionin nuk bien dakord për gjithçka, por ka tregues të fortë mbi atë që duan të rivendosin.
Dy nga partitë opozitare drejtohen nga ish-anëtarë të profilit të lartë të AKP-së. Njëri prej tyre, Ali Babacan, hartoi politikat e mëparshme ekonomike të partisë. Tjetri, Ahmet Davutoglu, vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij ndaj politikës së jashtme. Nën këto dy figura, së në fillim të viteve 20000, AKP e thelloi dhe popullarizoi orientimin miqësor ndaj tregut dhe qasjes pro-perëndimore të vendit.
Por një rikthim në këtë qasje nuk është e mundur në vitet 2020. Në aspektin ekonomik, klima globale është shumë më pak e favorshme për llojin e ekonomisë së tregut të lirë, duke u mbështetur në investimet e huaja direkte, normat e larta të interesit dhe liberalizimin e tregtisë, së dekadës së parë të AKP-së në pushtet.
Ndërsa gjeopolitikisht, ka ndryshuar qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj anëtarësimit të Turqisë – pak a shumë duke e përjashtuar atë – dhe ndaj rajonit në tërësi, evropianët nuk mund të mbështeten më tek hegjemonia ushtarake dhe diplomatike amerikane.
Zhvendosja nga politikat miqësore ndaj tregut të zotit Babacan u zbatuan në mënyrë efektive nga një tkurrje në tregjet botërore një dekadë më parë.
Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, një arsye kryesore për dorëheqjen e Davutoglu si kryeministër në 2016 ishte se partia qeverisëse nuk e konsideronte më si fitimprurëse një qasje pro-perëndimore.
Me rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon, AKP vendosi të mbrojë qasjet e saj, pa i braktisur plotësisht aleatët e saj perëndimorë.
Vitet e fundit, AKP përdori në mënyrë pragmatike një sërë mjetesh për ta menaxhuar ekonominë. Gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë për mirë. Megjithatë, pavarësisht nga gabimet, ajo që e lejoi AKP-në të qëndronte në pushtet ishte një bazë e gjerë dhe e fortë e mbështetjes popullore.
Kjo bazë u ndërtua përmes 5 dekadave të punës që shkriu ndërveprimin ballë për ballë dhe lidhjet joformale – duke i ndihmuar njerëzit të organizojnë ngjarje në komunitet, si për shembull duke vepruar si ndërmjetës në konfliktet e lagjeve – me anëtarësimin formal të partisë dhe shoqatës.
Në pushtet, përfitimet e lëkundshme por reale në politikat gjithnjë e në ndryshim të AKP-së të orientuara nga tregu, i çimentuan këto lidhje me njerëzit. Një nga arsyet e mbështetjes së madhe për AKP-në, është se me përjashtim të lëvizjes kurde dhe aleatëve të saj të vegjël socialistë, asnjë forcë politike në vend nuk është përpjekur të ndërtojë një raport kaq të përhapur me komunitetet.
Pa një alternativë të qartë ndaj statuskuosë, shumë njerëz do të qëndrojnë me lidershipin politik që njohin. Premtimet e fundit për një rishpërndarje të pasurisë bëra nga Kemal Kilicdaroglu, sfidanti presidencial i Erdogan dhe lideri i Partisë Popullore Republikane, vështirë se do të mjaftojnë për të ndalur kontrollin e fortë të AKP-së mbi shoqërinë turke.
Në vend të kësaj, partitë kryesore duket se janë të fiksuara pas mençurisë konvencionale. Ato mbështeten tek rigjallërimi i investimeve të huaja direkte, pavarësisht rënies së tyre në nivel global, dhe janë shumë kritikë ndaj projekteve të mëdha të AKP-së, të drejtuara nga shteti, si prodhimi i makinave dhe anijeve.
Por nëse opozita do të heqë dorë nga politika të tilla si “ekonomia kombëtare”, me çfarë do t’i zëvendësojë ato?
Mungesa e një përgjigje bindëse për këtë pyetje, përbën një paralajmërim për atë që do të vijë. Megjithatë, mposhtja e Erdogan do të ishte ende një lehtësim i madh.
Gjatë më shumë se 2 dekadave në krye të Turqisë, ai e ka përqendruar pushtetin në duart e tij, duke i burgosur kundërshtarët dhe duke vënë nën kontroll gjykatat. Vitet e fundit, ndërsa ekonomia u përkeqësua, AKP e ka zgjeruar axhendën e saj fetare dhe etnike, duke u hapur ndaj grupeve ekstremiste.
Distancimi nga e djathta ekstreme dhe goditja e fortë ndaj autoritarizmit, është vendimtare. Por fitorja elektorale nuk është asnjëherë përfundimtare. Në rast humbjeje, AKP dhe aleatët e saj do të vazhdojnë pa dyshim të nxisnin urrejtjen.
Dhe në një rajon shumë thellësisht të militarizuar, përdorimi i politikave të identitetit nga e djathta ekstreme turke mund të ketë pasoja shkatërruese, jo më pak për kurdët, gratë, komunitetet LGBTQ dhe pakicat fetare. Kundërhelmi më i mirë ndaj një kërcënimi të tillë është një program koheziv dhe imagjinativ për qeverisje, që duket se i mungon aktualisht opozitës. Turqia nuk ka nevojë për restaurim. Ajo duhet të vendoset në një rrugë krejtësisht të re. /albeu.com
Cihan Tugal, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe autor i librit “Rënia e modelit turk:Si kryengritjet arabe rrëzuan liberalizmin islamik”.
Burimi: The New York Times