MENU
klinika

Në tetor nis rritja e pensioneve

Çfarë po përgatit qeveria për të moshuarit?

22.05.2023 - 12:52

Në tetor qeveria do të rrisë pensionet për të moshuarit. Terreni po përgatitet, pasi reforma e pagave dhe qëndrueshmëria e ekonomisë do të rrisin kontributet e sigurimeve shoqërore duke krijuar hapësirë për rritje të pensioneve. Qeveria gjithashtu ka paralajmëruar se do të ketë edhe shpërblime. Lajmin e dha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. “Kemi shqetësim maksimal për nivelin e pensioneve. Historia e pensioneve ka më tepër se 10 vite. 10 vitet e fundit ndryshe nga sa më parë qeveria vendosi detyrimin ligjor për indeksimin e pensioneve. A është mjaftueshëm? Jo! Përveç indeksimit ligjor, ne gjatë vitit të kaluar kemi dhënë disa shpërblime, kemi indeksuar pensionet 9.5 %, kur niveli mesatar i inflacionit ishte 6.7 %.”, shpjegoi ajo. Ibrahimaj tha se indeksimi i pensionistëve për këtë vit do të bëhet në muajin tetor në masën e inflacionit mesatar vjetor. Sipas ministres, krijimi i bazës për rritjen edhe të pensioneve ishte edhe ndër arsyet që u nis reforma totale e pagave që synon të shtrihet edhe në sektorin privat. “Me rritjen e pagës minimale dhe politikat për nxitjen e deklarimit real të pagave në sektorin privat, synojmë që pagat mesatare në sektorin privat të rriten, duke rritur kështu edhe më shumë kontributet e sigurimeve shoqërore. Kjo na lejon që në të ardhmen të mendojmë një politikë për rritjen e pensioneve”, u shpreh Ibrahimaj. Përveç kësaj, Ibrahimaj tha se edhe aktiviteti ekonomik dhe reformat e ndërmarra po krijojnë qëndrueshmëri në rritjen ekonomike, çka ka lejuar rritjen e pagave pa cenuar stabilitetin financiar dhe pa cenuar objektivat për konsolidim fiskal.

Rriten edhe pensionet private
Nga ana tjetër, skema e pensioneve private po bëhet tërheqëse për shqiptarët. Gjatë muajve të parë të këtij viti shumë persona kanë zgjedhur të kontribuojnë për të qenë pjesë e skemës së pensioneve vullnetare private. Edhe pse njihet pak si skemë dhe shumë njerëz stepen, gjatë periudhës janar-mars totali i kontributeve ka arritur në vlerën 5.9 miliardë lekë ose 52.69 milionë euro. Nëse bëjmë një krahasim me fundin e vitit 2022 rritja e aseteve rezulton se ka pësuar një rritje me gati 5%. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private në fund të marsit ishte mbi 37 mijë persona. Viti i kaluar pati gjithashtu një ecuri pozitive për sa i përket personave që kanë kontribuar në skemat e pensioneve private duke u shtuar me 5 mijë e 500 anëtarë. Por pavarësisht kësaj tendence pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë në skemën e pensioneve private vlerësohet ende e ulet. Aktualisht në këtë skemë janë më pak se 3% e forcave të punës . lehtësojnë barrën e skemës publike. Aktualisht Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndërmarr disa ndryshime ligjore që synojnë nxitjen e kësaj skemë, ndërhyrjet synojnë të ulin tarifat në rastet kur fondi tërhiqet me këste. Skema e pensioneve private mbetet ende e panjohur për popullsinë e gjerë por ajo ofron një mundësi për rritje reale të pensioneve, nga pikëpamja e të ardhurave. Ndër të tjera paratë e investuara në fondet private të pensioneve nuk humbasin, ato trashëgohen nga pasardhësit, ndryshe nga pensioni shtetëror që pushon së ekzistuari me humbjen e jetës së pensionistit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kompensim shtesë për ata që përfitojnë pension invaliditeti

Afatet për tërheqjen e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit


BSH: Vrulli i shtrenjtimeve ka ndalur

Kur do ulen çmimet e apartamenteve?

328 mln euro të ardhura më shumë se shpenzimet

Paketë e re mbështetjeje për shtresat në nevojë?

Një problem shqetësues po shfaqet në gjithë Europën)

Korrupsioni, Kosova shumë më mirë se Serbia dhe Shqipëria