Kryetari i komanduar i PD-së, Enkeled Alibeaj, e ka intensifikuar rrugëtimin e tij për fushatën elektorale në të gjithë vendin. Megjithatë, kur e dëgjon retorikën e tij: ajo flet për Berishën, flet për bashkëpunimin e këtij të fundit me Ramën, nga ku të duket se jemi në zgjedhjet qendrore dhe jo lokale. Ndërkohë që basti për këtë status quo ku është PD-ja që drejton ai, është pothuaj i humbur. Është ai dhe vetë ai, përgjegjës, paçka justifikimeve të drejta. Alibeaj ankohet me të drejtë për Fondet e pa shpërndara nga KQZ-ja, për mbarëvajtjen e pengesën që i bën në çdo moment Bashkimi për Fitore, përdorimin e Logos dhe për shumë e shumë gjëra të tjera, por për muaj të tërë nuk mundi të zbriste në terren edhe pse e shpalli vetë si sfidë. Në vend të kësaj, Partia Demokratike (legale) jo vetëm humbi në terren por nxori një fashë amorfe deputetësh, që duke qëndruar larg problematikave reale dhe me vogëlsirat patetike, ia shtoi problemet këtij formacioni, që tashmë është bjerrur pa fund. Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Saimir Koreshi, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati do t’u kujtohet votimi kundër në mbledhjen e tyre, nëse jo nga ndërgjegjja e tyre, të paktën edhe tek mos mbështetja e këtij formacioni në momente të vështira. Kjo është dukja e një sherri që me gjasa do të nisë pas zgjedhjeve.
Alibeaj me staturën e vet nuk mund t’i përcillte në terren njerëzit e vet sepse ata nuk i bindeshin dhe e dyta ngaqë nuk i frymëzoi dot. Për më tepër, qenësia në parlament dhe retorika boshe aty është një luks, që nuk mund të krahasohet me “bredhjen” dhe bashkëbisedimin e vështirë me njerëzit. Mbase kjo duhej zgjidhur që në momentet e para në grupin e PD-së së Alibeajt. Dalja e Bejkos, paçka konotacioneve që i japin, megjithëse është një akt i madh është sërish shumë pak për këtë forcë, që pas 14 majit do futet me shumë gjasë në një spirale krize të re. Ishte koha që Alibeaj duhej të testonte veten por edhe të tërhiqej nëse ata që i dhanë tagër të drejtonte nuk i bindeshin. Megjithatë u vazhdua dhe duket se këto zgjedhje do të tregojnë shumë. Nuk i mohohen pengesat objektive veç atyre objektive, por një gjë kuptohet te Partia Demokratike (Legale): pak syresh e kuptojnë misionin e kësaj force ose më saktë janë pajtuar. Dyfytyrësinë e shumë prej individëve, Bejko e provoi në kurrizin e vet, fakt që do të thotë shumë për të ardhmen e këtij formacioni, të sëmurur rëndë. Jo thjesht nga mungesa e demokracisë por nga fitorja e pushtetit të cinizmit te PD-ja. Çfarë është një cinik?-bënte një pyetje retorike Oscar Wilde.” Një njeri që di çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje”. Kjo po ndodh me PD-në. Ndaj, retorika patetike tashmë e Alibeajt është krejt jashtë realitetit, ashtu si rreshtimi i kandidatëve të tij (për hir të mospërçarjes kundër ideve të grupit).
“Përfaqësimi ynë me 61 kandidatë do të ishte për ata njerëz që besonin me model të ri, larg berishizmit, për të rrëzuar regjimin e Ramës. Ky model i ri është të bësh ndryshe nga ç’bën Rama. I kuptoj vështirësitë. Ende s’kemi marrë fondet. E bëjnë për të na penguar, ka edhe një masë të madhe presioni e asfiksie”, theksoi Alibeaj, por më shumë të justifikojë veten. Një lider i mirë e di dhe e ndjen kohë më parë këtë realitet, kurse një pragmatist e shikon në sytë e kolegëve. Koha ia afroj të gjitha dhe ai nuk diti të zgjidhte.
Tashmë në fund, presioni është i dukshëm prej nga referimet për shitblerjet e votave, por më shumë nga të gjitha nga mentaliteti i logjikës së publikut para kutisë së votimit, që duket se nuk do të ndryshojë dot lehtë në zgjedhjet tona. Këtë moment se kapi dot Alibeaj, që e vuajti cinizmin dy herë: njëherë në kurriz dhe tjetrën herë ndaj të tjerëve, që mezi po i drejton. E megjithatë, ai, nuk duhej të vonohej.