Çmimi i naftës ka rënë këto ditë në bursat amerikane dhe europiane, por luhatja nuk ka ndikuar në tregun shqiptar. Ky i fundit mbetet ndër më të shtrenjtët në botë për nivelin e çmimit të karburanteve.
Në bursën amerikane një fuçi nafte e papërpunuar tregtohet në kuotën e rreth 72 dollarëve për fuçi, ndërkohë që edhe në Europë çmimi ka pësuar ulje të lehtë.
Në SHBA, çmimet e naftës ranë pasi investitorët shqetësohen për mungesën e progresit në negociatat midis demokratëve dhe republikanëve në Uashington për të rritur tavanin e borxhit.
Presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy arritën një marrëveshje paraprake mbi borxhin gjatë fundjavës, por ajo duhet të marrë miratimin e Kongresit i cili deri më tani mbetet i përçarë.
Marrëveshja duhet arritur përpara 5 qershorit, ditë kur Departamenti i Thesarit thotë se vendi nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij financiare.
Luhatjet në çmim janë të vogla, megjithatë ato ndikojnë edhe në tregun shqiptar të karburanteve, ku një litër naftë shitet sot në pompë me çmim 176 lekë/litër.
Në raport me verën e kaluar, kur një litër naftë tregtohej 220 lekë për litër, çmimi duket të jetë i qëndrueshëm, megjithatë Shqipëria renditet në listën e 20 vendeve më të shtrenjta.