Detaje të reja janë zbuluar nga mediat italiane në lidhje me Juventusin, që duket se nuk do të gjejë qetësi përsa i përket dënimit për plusvalencat. Së fundmi është zbuluar vendimi prej 75 faqesh i Kolegjit të Garancisë së Komitetit Olimpik Kombëtar italian (ose ndryshe CAS-i i CONI-t), që me 20 prill vendosi ti kthente 15 pikët dhe ta çonte çështjen për rigjykim në Komisionin e Apelit të Federatës Italiane të Futbollit.
Në të thuhet se rihapja e çështjes pas disa muajsh ishte tërësisht e rregullt për shkak të fakteve të reja, ndërsa nuk pranohet apelimi i Juventusit për anulimin e plotë të çështjes duke argumentuar se kishin kaluar afatet ligjore.
Nga ana tjetër, saktësohej se pikët e hequra nuk ishin në proporcion me argumentimin e dalë nga Apeli i Federatës Italiane. “Duket qartësisht orientimi drejt ridimensionimit të sanksionit për klubin, që mund edhe të kthejë çështjen te kërkesa e famshme për heqjen e 9 pikëve”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”.
“Në këtë pikë, fjala i kalon Gjykatës së Apelit: e cila prezumohet se mund të mblidhet brenda fundit të majit për të caktuar sanksionin e ri. Mbetet gjithsesi e hapur tema e përplasjes së afateve, pasi prezumohet që Juventusi dëshiron ta spostojë ndëshkimin në sezonin e ardhshëm sportiv, për të shpëtuar kualifikimin në Ligën e Kampioneve”, shkruan gazeta e njohur italiane.
Gjithsesi sipas të gjitha mediave në Itali pikët Juventusit do ti hiqen për sezonin aktual dhe sezonin e ardhshëm nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës. Në rast se fiton Europa League atëherë do kalojë në dorën e UEFA-s, që gjithashtu ka të hapur një hetim për bardhezinjtë.