MENU
klinika

Humbja në 14 maj

Dash Shehi: Bashkimi nuk bëhet me Berishën dhe Bashën! Të mos merremi kush është “gjeli”

31.05.2023 - 15:45

Politikani opozitar Dashamir Shehi, thotë se bashkimi i Partisë Demokratike nuk mund të bëhet duke rendur ende pas njerëzve si Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Sipas tij, të dy këta politikanë janë provuar në krye të partisë më të madhe opozitare.

“Bashkimi nuk bëhet më mbas njerëzve, aq më tepër pas këtyre njerëzve. Bashkimi bëhet ndaj një teze apo programi politik. Unë propozoj kolegëve të tjerë të puqemi për të qarë disa ide të mëdha politike. Individët që përmendët ju fatkeqësisht janë provuar shumë herë.

Është lodhje e madhe për Shqipërinë të merremi se kush është gjeli më i rëndësishëm opozitar. I ftoj që përmes aksioneve politike të bëhet edhe bashkimi numerik brenda opozitës”, ka thënë Shehi në Report Tv, duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Më tej, Dash Shehi shpreh bindjen se nëse bashkimi merret seriozisht, opozita mund të organizohet deri në vjeshtë dhe të jetë vërtet shpresë për shqiptarët.

“Jam i bindur se ndoshta nga vjeshta opozita mund të organizohet në atë lloj mënyre për t’i dhënë shpresë qytetarëve.  Njerëzit opozitarë janë aty, me rreth 600 mijë vota që ishin kundër qeverisë në këto zgjedhje”, vijoi politikani opozitar.