MENU
klinika

Risia e energjisë së gjelbër nga Kosova

Delet përdoren si makinë kositëse për të kursyer energji

04.05.2023 - 13:28

Kur punëtorët në një fermë të energjisë diellore në Kosovë u lodhën duke konsumuar karburantin për të prerë barin rreth paneleve të tyre diellore, ata zgjodhën një kositëse më të gjelbër dhe shumë më të fuqishme: një tufë delesh.

Më shumë se 100 dele dhe disa dhi kullosin dy herë në javë në fermën diellore ‘Rogane’ pranë qytetit të vogël të Kamenicës në Kosovën Lindore ku janë instaluar më shumë se 12 mijë panele fotovoltaike.

Bariu 72-vjecar, Rexhep Rrodhani u shpreh për mediat se punëtorët e kuptuan që kositja e arave ishte shumë e vështirë dhe e kishin pyetur nëse mund të sillte delet e tij. Ai shtoi se delet këtu hanë bar të çdo lloji, bar të mirë apo të keq dhe pastrojnë gjithçka. Në këtë mënyrë të gjithë po përfitojnë.

Kosova ka 12-14 miliardë tonë rezerva të linjitit me cilësi të ulët, e pesta më e madhe në botë. Më shumë se 90% e energjisë elektrike të saj prodhohet nga qymyri dhe pjesa tjetër është nga burimet e rinovueshme, kryesisht nga era dhe dielli. Vendi synon të heqë gradualisht qymyrin nga përdorimi deri në vitin 2050.

Menaxheri i centralit diellor Arbër Maliqi, tha se aktualisht nuk po shpenzohet fare benzinë për kositëset e barit. Prodhimi i energjisë nga dielli dhe prerja e barit me dele do të thotë që gjërat këtu bëhen dy herë më gjelbër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN