Sot në orën 18:30, në një “Air Albania” që ushton nga britmat e dy tifozerive, Partizani dhe Tirana do të zbresin në fushë për të vendosur fituesin e titullit kampion. Të kuqtë duan rikthimin te ky trofe pas katër vitesh “thatësirë”, ndërsa bardheblutë kërkojnë të shkruajnë edhe një herë historinë për të fituar të dytin radhazi.
Sot ndahen thuajse të gjitha dilemat. Partizanit nuk i vlen barazimi, megjithëse e lejon të shpresojë ende. Ditën e djeshme të kuqve zhvilluan stërvitjen e fundit, ku Kolela i dha dorën e fundit gjithë planit të tij.
Gjatë gjithë javës trajneri italian ka punuar për të përgatitur skuadrën fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht. Koha ka qenë tejet e mjaftueshme, me Kolelën, që ka qartësuar çdo ide në lidhje me formacionin.
Trajneri italian në ndeshjet e fundit e ka rreshtuar skuadrën me skemën 3-5-2 dhe gjithçka ka rezultuar efikase. Siç edhe e paralajmëroi, nuk është koha për të bërë shumë ndryshime dhe për të tentuar eksperimente, prandaj edhe sot në fushë pritet të jetë një 11-she e ngjashme me atë që luajti ndaj Erzenit dhe ndaj Kukësit.
Në dispozicion të trajnerit janë të gjithë lojtarët, çka do të thotë se përveç 11- shes, trajneri italian ka edhe një stol të bollshëm dhe cilësor, një luks, që kundërshtari nuk e ka.
Shanset më të mëdha janë që trajneri italian ta nisë me Rexhepin në portë, për të vazhduar me Telushin, Prekën dhe Sotën në treshen e mbrojtjes. Krahët e komplet linjave me shumë mundësi do t’i mbulojnë Hadroj dhe Atanaskoski, teksa një opsion për maqedonasin do të ishte edhe Maget.
Treshja e mesfushës nuk ndryshon, ashtu siç nuk ka ndryshuar gjatë gjithë sezonit, me Rrapajn, Matondon dhe Muratajn, që do të mbështesin dyshen sulmuese, Mba-Da Silva.
Skema 3-5-2 ka treguar fytyrën e një Partizani më stabël dhe “presues”, karakteristika, që në derbi janë jetike. Gjatë ndeshjes, Kolela me siguri pritet të bëjë edhe modifikime, në varësi të ecurisë së sfidës.