Lufta në Ukrainë ka të ngjarë të arrijë kulmin e saj këtë verë, duke u bërë edhe më brutale dhe më e përgjakshme se më parë.
Gjenerali australian në pension, Mick Ryan, thotë se rusët do të përshkallëzojnë “zonat e vrasjes” përmes fushave të minuara në shkallë më të gjerë, llogoreve të fortifikuara dhe “dhëmbëve të dragoit” – blloqe betoni në formë piramide të krijuara për të ngadalësuar përparimin e automjeteve ushtarake – për të shënjestruar forcat ukrainase
Sipas konsensusit të shumë diplomatëve perëndimorë, faza e vendimmarrjeve thelbësore është e afërt. Ajo do të zgjasë deri në fund të tetorit, pra kur do të fillojë edhe sezoni i shirave, duke e shndërruar terrenin në një moçalishte. Më e rëndësishmja: ajo do të varet nga rezultati i kundërsulmimit të planifikuar ukrainas, i cili do të përcaktojë edhe mënyrën se si të vazhdohet të veprohet në vjeshtë dhe dimër.
“Gjithçka do të varet nga kjo kundërofensivë”- thotë ish-zëvendës shefi i NATO-s, Alexander Vershbow. Dokumentet sekrete të Pentagonit të dekonspiruara pak javë më parë tregojnë se Uashingtoni nuk pret një sukses të jashtëzakonshëm nga ukrainasit këtë verë.
Edhe strategu i njohur ushtarak Markus Reisner i Ministrisë së Mbrojtjes në Austri thotë: “Unë aktualisht nuk besoj tek një kolaps i plotë i mbrojtjes ruse”. Problemet kryesore të ushtrisë ukrainase janë mungesa e municioneve, mungesa e mjaftueshme e ushtarëve të trajnuar mirë dhe përballja me një forcë ajrore ruse shumë të fuqishme.
Tani Perëndimi dëshiron që të marrë disa kundërmasa, dhe mund të formojë më në fund një “koalicion avionësh luftarakë”, për të cilin Ukrainës i duhen të paktën 40-50 avionë luftarakë F-16 të nivelit të lartë.
Që nga vjeshta e kaluar ishte më se e qartë se Ukrainës do t’i duheshin avionët luftarakë për të nisur një kundërofensivë të suksesshme, për të kontrolluar hapësirën e saj ajrore, dhe për të siguruar mbulim të hershëm ajror për forcat e saj sulmuese tokësore.
Përveç kësaj, Ukraina mund të përdorë avionët luftarakë për të rrëzuar raketa dhe avionët rusë. Sapo ka nisur një debat serioz rreth dërgimit të avionëve luftarakë perëndimorë. Por ka arsye të mendohet se këto avionë do të arrijnë shumë vonë për kundërsulmin e planifikuar të Ukrainës.
Dhe nga pikëpamja ushtarake, ky është një lëshim i pafalshëm nga ana e Perëndimit. Për ta thënë troç: në rast se kundërofensiva e Ukrainës nuk arrin të sjellë një kthesë në të ardhmen e afërt, komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë më të drejtë një pjesë të fajit për këtë dështim.
Për një kohë shumë të gjatë, midis evropianëve dhe amerikanëve ka dominuar frika nga kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin, dhe nga një përshkallëzim i mundshëm ushtarak përmes dërgimit të avionëve luftarakë. Këtë qasje ish-gjenerali gjerman i NATO-s Heinrich Brauss e quan në mënyrë sarkastike “vetë-frenim” të Perëndimit.
Tani Perëndimi befas po bën një kthesë. Pse? Do të jetë i vështirë të justifikohet besimi se Ukraina mund të fitojë përfundimisht. Sepse nga pikëpamja perëndimore, kundërofensiva e ardhshme e Ukrainës duhet të sjellë më në fund verdiktin e shumëpritur.
Sipas analizave që bëjnë qeveritë në Uashington, Londër, Berlin dhe Paris, sulmi ka të ngjarë të jetë përpjekja e fundit e madhe për të rivendosur integritetin territorial të Ukrainës. Por edhe sepse gjatë vitit të ardhshëm, Perëndimi nuk do ta furnizojë dot me shumë armë Ukrainën.
Atëherë ajo do të mbetet e pafuqishme në mëshirën e Rusisë. Nuk do të ketë më dërgesa të konsiderueshme armësh pas vitit 2024? Por pse Perëndimi do ta bënte këtë? Arsyeja: pa një sukses të madh ushtarak këtë verë pas dërgesave të mëdha të armëve perëndimore muajt e fundit, do të jetë e vështirë të justifikohet besimi se Ukraina mund të fitojë në fushën e betejës.
Arsenali i armëve të vetë Perëndimit, rrezikon që të shterojë në një moment dhe ai nuk dëshiron që të rrezikojë aftësitë e tij mbrojtëse. Për më tepër, në SHBA zhvillohet vitin e ardhshëm fushata zgjedhore presidenciale dhe presidenti Joe Biden mund të përballet me presion të madh nga republikanët për shkak të shpenzimeve të larta për vendin e largët në Evropën Lindore.
Çfarë do të ndodhë me Luftën e Ukrainës ndërsa po shkojmë gradualisht drejt vitit 2024?
Së pari, as diplomatët e lartë evropianë dhe as ata amerikanë nuk besojnë se Ukraina do të rimarrë ndonjëherë gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe të gjithë Donbass-in.
Për hir të respektit ndaj qeverisë ukrainase, askush nuk e thotë këtë hapur. Në fakt, Perëndimi nuk ka asnjë interes serioz për çlirimin e gadishullit. NATO ka frikë nga sulmet hakmarrëse nga Kremlini, që e ka shpallur “vijë të kuqe” humbjen e Krimesë. Moska dëshiron t’i përdorë bisedimet e paqes me Ukrainën për të ndërtuar një “rend të ri botëror”.
Së dyti, luftimet e kësaj vere ka të ngjarë të shkaktojnë një numër të madh viktimash. Ekspertët ushtarakë presin lodhjen e të dyja palëve. Në të njëjtën kohë, Perëndimi do ta kuptojë se është afati i fundit për arritjen e një armëpushimi. Ukrainës do t’i kërkohet të pranojë një armëpushim, dhe në këmbim do t’i ofrohen garanci sigurie, riarmatim ushtarak dhe ndihmë ekonomike.
Ky armëpushim mund të zgjasë për shumë vite pa një vendim përfundimtar, ngjashëm me rastin e Koresë së Veriut dhe të Jugut. Rusia do të vazhdojë të mbaje të pushtuar 15-20 për qind të Ukrainës. Në fakt, kjo do të thotë humbje për Ukrainën, por edhe për Perëndimin, i cili duke pasur në mendje agresorë të tjerë globalë si Kina dhe Irani, ishte i dëshpëruar të parandalonte Moskën që të ishte e suksesshme në luftë.
Së treti, Ukraina nuk do t’i bashkohet BE-së brenda kësaj dekade. Kjo do të ndodhë ndoshta shumë më vonë ose asnjëherë në rastin më të keq. Kjo është edhe më e vërtetë për aspiratat e saj për anëtarësim në NATO. Arsyeja për këtë është kërcënimi i vazhdueshëm nga Moska. Mund të supozohet se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e sheh këtë rrezik, prandaj edhe ai po kërkon një anëtarësim të shpejtë.
Së katërti, Kina dhe Rusia do të përpiqen të reformojnë rendin ndërkombëtar të sigurisë për interesat e tyre, dhe në funksion të këtij qëllimi do të kërkojnë partnerë shtesë koalicioni në botën arabe, Afrikën Jugore dhe Amerikën Latine.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka njoftuar tashmë se Moska dëshiron të përdorë bisedimet e paqes me Ukrainën edhe për të ndërtuar një “rend të ri botëror”. Kina po bën thirrje për të njëjtën gjë. Pekini po flet hapur për një “botë të re me shumë pole”. Në përgjithësi, lufta në Ukrainë do ta bëjë botën më të pasigurt, dhe do të paralajmërojë largimin nga rendi ekzistues i sigurisë globale.