MENU
klinika

Detaje të reja nga vrasja e Nikulajt

Si ndodhi e gjithë ngjarje në vetëm 17 sekonda

04.05.2023 - 09:57

Të tjera detaje kanë dalë lidhur me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin.

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se e gjithë ngjarja ndodhi në vetëm 17 sekonda dhe ka zbardhur edhe disa nga lëvizjet e autorëve përpara ekzekutimit të Nikulajt.

Kujtojmë se vrasja e Nikulajt ishte një ngjarje e një lloji të veçantë, pasi si rrallë herë u përfshinë eksponentë të botës së krimit të ardhur nga vende të tjera, të cilët dyshohet se ishin paguar e porositur nga Edmond Haxhia.

Mes tyre ishte edhe Harry Simson, shtetasi britanik i cili dyshohet se luante rolin e vëzhguesit.

Pjesë nga emisioni “Në Shënjestër”:

Por përpara se të kryente rolin e vëzhguesit, interesant është fakti se natën kur Harry Simson mbërriti në Shëngjin, para se të akomodohej në hotelin ku do të qëndronte, ai konstatohet nga kamerat e sigurisë, teksa zbret nga makina tip Volksëagen me të cilën kishte udhëtuar nga Rinasi dhe ecën në këmbë, përballë lokalit të Ardian Nikulaj dhe më pas hotelit të vëllait të tij.

“Ai kalon në afërsi të lokalit ‘Coral’ në pronësi të viktimës Ardian Nikulaj dhe shkon deri në afërsi të lokalit ‘L…’, në pronësi të vëllait të viktimës. Ai kthehet përsëri vetëm në këmbë dhe rreth orës 03:09, fiksohet nga kamerat e sigurisë së kompleksit ‘R…’, ku rezervon një dhomë tek recepsioni i hotelit”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas verifikimit që bëri policia shqiptare, autoritetet britanike informuan se Harry Simson kishte 27 rekorde penale në vendin e tij, duke filluar nga posedim droge, dhunë deri në vjedhje.

Ndërsa në dhomën e hotelit ku ai kishte qëndruar për afro 8 ditë, deri në momentin e largimit më 19 prill, vetëm pak çaste pasi ishte kryer vrasja e Ardian Nikulaj, grupi hetues mblodhi si prova, materiale të shumta të cilat u dërguan për ekspertim biologjik ADN-je dhe daktiloskopik edhe gjurmë papilare.

Por ndërsa grupi hetues mendon se ka krijuar bindjen e arsyeshme se Harry Simson është kontraktuar nga Edmond Haxhia për të vëzhguar Ardian Nikulaj, njëkohësisht ekspertët e policisë u vunë në lëvizje edhe për të krijuar lidhjen midis Haxhias dhe portugezit Ruben Saraiva, i cili mendohet se është vrasësi me motor i Ardian Nikulaj.

Ishte një oficer policie, ai që gjurmoi faqet online, për te verifikuar shitjet e motorëve kohët e fundit.

Pas shumë kërkimesh oficeri ra në gjurmët e motorit dhe mundi të gjejë dhe të kontaktojë shitësin.

Kjo ishte një pikënisje e mirë për hetimet e vrasjes së politikanit vendor.

“Nga këqyrja e faqeve ‘online’ ku jepen njoftime për shitje-blerje të mjeteve të përdorura, konkretisht faqes ‘Merr jep.com’, u konstatua se më datë 25 Shkurt 2023, në këtë faqe ishte publikuar për t’u shitur një motor, me të njëjtat karakteristika me atë të përdorur nga ekzekutori me targa BN205, si dhe me skafandër të ngjashme.

Nga verifikimet në sistemin E-Gjoba, rezultoi se motomjeti me targë BN205 ishte i regjistruar në emër të shtetasit E. L, banues në Tiranë”, thuhet në dosjen hetimore.

I pyetur nga grupi hetues E. L, tregoi se më datë 27 shkurt 2023 motorin e kishte shitur me kontratë noteriale dhe se në këtë datë ai ishte takuar në kryqëzimin e ‘21 dhjetorit’ në Tiranë, me një shtetas nga Lezha, i cili në sediljen e parë të mjetit të tij ndodhej me një shtetase.

“Pasi shkuam në banesën time ku ndodhej motori, personi që nuk më tregoi emrin dhe as nuk e pyeta, më pyeti për pazarin. Unë i thashë 1800 euro dhe ai menjëherë ra dakord që ta blinte, pa kërkuar zbritje. Nga shtëpia shkuam direkt te noterja, ku bëmë kontratën e shitblerjes së motorrit, ku si blerës personi në fjalë vendosi personin femër që e shoqëronte, për të cilën ai më tha se ishte nusja e tij”, dëshmoi ai.

Nusja e personit që nuk u prezantua asnjëherë, por që hodhi firmën e saj si blerëse e motorit, nga verifikimi i grupit hetues rezultoi të jetë V. D., e fejuara e Edmond Haxhias.

Policia trokiti në dyert e shtëpisë së vajzës, dhe kërkoi prej saj dëshmi.

Rrëfimi i saj ishte befasues për hetuesit. Mes të tjerash, ajo i orientoi hetuesit të verifikonin rolin e një shtetasi portugez.

“Unë jam fejuar me Edmondin më 26 Nëntor 2022, pasi ai kishte vetëm dy ditë që kishte mbërritur në Shqipëri, pasi jetonte në Britani.

Në lidhje me kontratën noteriale të blerjes së motorit ‘Gillera’, tipi M356, me targa BN205, në qytetin e Tiranës, më datë 27 shkurt 2023, unë së bashku me të fejuarin tim Edmond Haxhia dhe një shokun e tij, i cili ishte portugez, në këtë datë kemi shkuar në Tiranë, për të blerë një motor, pasi Edmondit ia kishte sugjeruar një shok i tij nga Gjirokastra, i cili ndodhej në burg në Angli.

Pasi Edmondi pa motorrin dhe e pëlqeu, vendosi ta blejë, dhe shkuam te noterja, ku ai më kërkoi mua dokumentin e identifikimit që ta blinte motorrin në emrin tim”, thuhet në dëshminë e vajzës.

Është ky momenti kur e fejuara e Edmond Haxhias rrëfen përpara oficerëve të policisë edhe për shoqërinë që i sapo fejuari i saj, kishte me një shtetas portugez, për të cilin blenë edhe motorin, me qëllim që ky i fundit të lëvizte në Shqipëri, pasi kishte mbërritur në vendin tonë nëpërmjet Rinasit.

“Motorin e mori shoku i Edmondit, portugezi, pasi i fejuari im nuk dinte t’i jepte motorit dhe ne u kthyem në Lezhë, me mjetin Mercedes Benz ngjyrë gri me të cilin kishim shkuar në Tiranë, ndërsa portugezi mori motorin dhe u largua”, thuhet në dosjen hetimore.

Në lidhje me shokun portugez të të fejuarit të saj, V. D. tha se ai kishte ardhur në Shqipëri më 14 shkurt 2023 dhe atë e kishin pritur ajo vetë dhe Edmondi.

“Pasi e morëm në aeroport e dërguam në Shëngjin, konkretisht tek hotel “R…”, ku edhe e akomoduam në një nga dhomat e këtij hoteli.

Unë shtetasin portugez e kam takuar në fund të muajit shkurt, ku e kam marrë bashkë me Edmondin, me automjet te rrethrrotullimi i Lezhës dhe e kemi dërguar në Shkodër”, dëshmoi vajza.

Në lidhje me motorin që blenë në Tiranë, e fejuara tashmë e Edmond Haxhias, tha për grupin hetues, se të njëjtin motor ajo e kishte parë në magazinën e tij në fshatin Kakarriq në Lezhë.

“Pas blerjes së motorit në Tiranë, tri ditë më vonë, të njëjtin motor unë e pashë në magazinën e shtëpisë së Edmondit në fshatin Kakarriq-Lezhë, gjatë kohës kur unë shkova për të marrë perime aty që të bëja drekën”, dëshmoi e fejuara e Haxhias.

Më tej vajza tha se e kishin takuar edhe njëherë shtetasin portugez në fund të muajit mars.

Ku e kanë përcjellë me makinën e tyre deri në Shkodër.

“Nga fundi i muajit mars, unë, Edmondi dhe nëna e tij ishim duke shkuar në Velipojë.

Gjatë rrugës morëm me vete edhe shtetasin portugez i cili po na priste në autostradë, pranë ‘Kryqëzimit të Kallmetit’.

Ne atë e dërguam deri në Shkodër, më pas u kthyem në Velipojë.

Edmondi mbante një numër anglez, ndërkohë që kishte edhe dy numra shqiptar, që nuk i bleu në emrin tim, por i siguruam nga një shoqja ime që punon si menaxhere lokali në Tiranë, se cilës Edmondi i dha 2 000 mijë lekë të reja për numrat”, dëshmoi vajza.

Ajo që duket se ndihmoi grupin hetues të shkonte në gjurmët e portugezit, sipas tyre vrasës, ishte e folura e tij.

Kjo pasi e fejuara e Edmond Haxhias, tregoi për oficerët e policisë se miku i të fejuarit të saj, kishte nisur të mësonte edhe disa fraza shqip dhe detajin që ai përshëndeste të gjithë me shprehjen ‘si kalut’.

Me shprehjen ‘si kalut’ ekzekutori përshëndeti punonjësit e lokalit ‘Coral’ ku hyri me furi dhe ekzekutoi Ardian Nikulaj.

“Shtetasi portugez, përshëndeste në gjuhën shqipe: ‘Si kalut’. Hante shpesh çamçakëz dhe me Edmondin komunikonte në anglisht”, thuhet në dëshminë e saj.

Sipas dosjes hetimore, tetë orë pas krimit, me 19 prill 2023, ora 21:16, Ruben Saraiva, rezultoi se këtë herë kishte dalë si këmbësor nga pika kufitare e Kapshticës.

Ndërkohë që është e paqartë se me çfarë mjeti ai u drejtua drejt daljes nga kjo pikë dhe kush ishte shoqëruesi i tij.

Kjo pasi motori me të cilin ai thuhet se kreu lëvizjet para dhe gjatë krimit, u gjet i hedhur në një kanal në fshatin Kakarriq të Lezhës, sipas policisë jo shumë larg banesës së Edmond Haxhias.

“Nga ekspertimi i sendeve të sekuestruara në mjetin me targa AA837ZM, përdorur nga Edmond Haxhia dhe banesën e këtij shtetasi, ka rezultuar se profili biologjik i përftuar në veshjen e grave ‘Hixhab’ gjetur në bagazhin e mjetit me targa AA837ZM është i njëjtë me profilin biologjik të përfituar nga çamçakëzi, gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia”, thuhet në dosjen hetimore.

Hetuesit lidhën me kujdes detajet, pasi vajza iu rrëfeu se portugezi hante çamçakëz tërë kohës dhe pikërisht çamçakëzi që u gjet në magazinën e Edmond Haxhiut në Kakarriq e tradhtoi atë.

Në lidhje me britanikun Harry Simson, që sipas policisë kreu rolin e vëzhguesit, provat që gozhdojnë lidhjen e tij me Edmond Haxhian, janë ato biologjike, të gjetura në dhomën e tij të hotelit, që sipas grupit hetues përputhen me gjurmët e tij biologjike të lëna në sendet që u sekuestruan në makinën që Edmond Haxhia mori me qira në Shkodër.

Po kështu një provë e pakundërshtueshme për grupin hetues u bënë edhe filtrat e cigareve të gjetura në dhomën e hotelit ku qëndroi Harry Simson.

Gjurmë biologjike që përkuan të njëjta me ato të gjetura në dorezat e mbetura në bagazhin e makinës me qira që Edmond Haxhia, kishte marrë në përdorim.

“Profili biologjik i përftuar nga filtrat e cigareve, gjetur në dhomën nr.302 të hotel ‘B…’ ku ka qëndruar shtetasi Harry Simson është i njëjtë me profilin biologjik të përfituar nga dorezat e gjetura në bagazhin e mjetit me targa AA837ZM, i cili është marrë me qira nga shtetasi Edmond Haxhia”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ndërsa grupi hetues zbardhi lidhjen e trefishtë të personazheve pjesëmarrës në krimin ndaj Ardian Nikulaj, midis Edmond Haxhias, shtetasit portugez dhe atij britanik, hetimet u përqendruan edhe te roli i tre britanikëve të parë që mbërritën në Shëngjin në fillim të muajit prill.

Konkretisht Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt, nga ku rezultoi se edhe këta shtetas ishin pritur në Rinas me të njëjtën makinë të marrë me qira, nga Edmond Haxhia.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 3 Prill 2023, në orën 22:35, në Rinas kanë mbërritur shtetasit britanik Harriet Bridgeman, dhe Thomas Mithan. Nga këqyrja e pamjeve filmike del se ata janë pritur nga i njëjti automjet i marrë me qira nga Edmond Haxhia, në afërsi të lokal ‘Turi”, në të njëjtin vend ku u prit edhe britaniku tjetër Harry Simson, i cili mbërriti në Rinas më datë 11 Prill 2023”, sqarohet në dosje.

Sipas grupit hetues me t’u akomoduar në Shëngjin, këta shtetas vihen re teksa lëvizin në lokalet në pronësi të viktimës Ardian Nikulaj dhe të afërmve të tij.

Madje, shihen duke filmuar ambientet e hotelit, çka ka krijuar dyshimin se ata janë aty për të bërë gati terrenin.

“Më datë 6 Prill 2023, rreth orës 11.30, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt dalin nga hotel ‘L’ dhe shkojnë tek lokal ‘Coral’, ku qëndrojnë deri rreth orës 14;30, ku konsumojnë pije.

Ata dallohen teksa dalin dhe hyjnë disa herë në lokal, duke kryer veprime të dyshmta dhe duke filmuar me telefon, ku gjatë kësaj kohe në lokal ndodhet edhe viktima Ardian Nikulaj”, thuhet në dosje.

Sipas dosjes hetimore Thomas Mithan, u largua nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit të Rinasit, më datë 5 Prill 2023.

Ndërsa Steven Hunt (Stiven Hant) dhe Harriet Bridgeman (Herriet Bridxhmen) u larguan po nga i njëjti aeroport vetëm dy ditë më pas.

Më 7 prill 2023 në orët e para të mëngjesit të kësaj dite, hetuesit besojnë se ka prova që i implikojnë ata në grupin kriminal që ekzekutoi Ardian Nikulaj.

Siç rezultoi nga dosja hetimore, Nikulaj u ekzekutua në vetëm 17 sekonda.

Por arratia e 3 prej britanikëve zgjati shumë pak, pasi Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman u ndaluan nga autoritetet britanike për llogari të drejtësisë shqiptare.

Bashkë me ata u ndalua edhe Edmond Haxhia, i konsideruar si organizatori dhe porositësi i vrasjes së Ardian Nikulaj.

Larg hekurave të qelisë ndodhen Harry Simson dhe Ruben Saraiva, portugezi që thuhet se qëlloi ndaj biznesmenit dhe politikanit vendor në Lezhë.

Ndërkohë, grupi hetues nuk ka asnjë dyshim se historia është një gjakmarrje e vjetër midis fisit Nikulaj dhe Lekstakaj që daton që nga viti i largët 1997.

Histori që në harkun kohor të pak viteve kishte prodhuar viktima të shumta, por që pikërisht atëherë kur dukej se vitet kishin shuar mërinë midis dy fiseve, duket se gjakmarrja flinte aty bashkë me nevojën për t’u hakmarrë.

Gjithsesi versioni i grupit hetues duhet marrë me rezerva sa kohë hetimi nuk quhet i shterur plotësisht dhe kur dihet që në Lezhë qarkullojnë edhe grupe të tjera interesi, që pse jo mund të kenë qenë të interesuara të eliminojnë Ardian Nikulajn.

Por që mund të kenë përdorur edhe plagët e pambyllura midis familjes Lekstakaj dhe Nikulaj, për të fshehur qëllimet e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Porositësi ofroi 500 mijë euro në Shqipëri por s’gjeti ekzekutor

Vrasja e Nikulajt planifikohej prej 2 vitesh!


VIDEO/ “Zgjidhi nyjen e rrezikshme që lidhte dy anët e Drinit”

Rama: Ura e Madhe e Veriut, shëmbëlltyrë e ambicies sonë…

Çfarë ndodhi gjatë natës në një banesë

Të shtëna me armë zjarri në Krujë, policia jep detaje!

Bilanci tragjik nga masakra në Shkodër thellohet në 4 viktima

Ndërron jetë në spital Bashkim Basha