MENU
klinika

Preku nivelin më të ulët historik!

Euro ringrihet pas zgjedhjeve vendore

15.05.2023 - 14:06

Euro e ka nisur javën me rimëkëmbje në kursin e këmbimit lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro të hënën u këmbye me 111.31 lekë, në rritje me 0.49 lekë krahasuar me ditën e premte.

Rritja e euros në pikat e këmbimit valutor u theksua veçanërisht në gjysmën e dytë të të premtes, ndërsa ka vijuar më e lehtë edhe këtë të hënë.

Në gjysmën e parë të muajit maj, euro shënoi një rënie të mëtejshme ndaj lekut, duke arritur vlerat më të ulëta historike.

Në datën 11 maj, kursi i këmbimit euro-lek arriti nivelin prej 110.63 lekësh, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia i detyrohej prurjeve të mëdha të valutës në treg. Rritja e ofertës së euros mund të shpjegohet pjesërisht me theksimin e faktorit sezonal dhe rritjen e turizmit hyrës, por edhe me zgjedhjet lokale.

Sipas ekspertëve, periudhat parazgjedhore shoqërohen me rritje të flukseve valutore dhe e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe këtë vit, duke e çuar kursin e euros drejt rekordeve të reja në rënie.

Në ditët e fundit, megjithatë, kjo rënie është korrigjuar disi dhe kjo koincidon me përfundimin e fushatës zgjedhore. Sipas agjentëve të këmbimit, në gjysmën e dytë të javës së kaluar u vërejt një rritje e kërkesës për euro në treg.

Rënia e euros në nivelet më të ulëta historike mund të ketë rritur kërkesën për monedhën europiane nga subjektet që kanë nevoja për valutë, të lidhura me biznesin, shlyerjen e kredive në euro, udhëtime jashtë vendit, etj.

Një fenomen i ngjashëm u vërejt edhe në fund të vitit 2022. Pasi kursi i euros preku nivelin më të ulët historik, në ditët e fundit të dhjetorit dhe në fillim të janarit u vërejt një kërkesë e lartë për të dhe ringritje e shpejtë, ndonëse e përkohshme, e kursit euro-lek.

Në atë rast, rritja u nxit edhe nga një injektim shumë i madh i lekut në treg nga qeveria shqiptare, që e shpenzoi të gjithë deficitin e planifikuar në muajin dhjetor, duke e përqendruara sidomos në ditët e fundit të muajit.

Për momentin, kursi i euros është rimëkëmbur disi, por sidoqoftë ngelet ende pranë niveleve minimale historike dhe agjentët bendojnë se në afatin e shkurtër monedha europiane do të qëndrojë në pozita të dobëta, duke pasur parasysh efektin e pritshëm sezonal.

Sidoqoftë, frenimi i rënies së euros iu jep për momentin një lloj frymëmarrjeje sektorëve eksportues të ekonomisë, që po përballen me humbje të konsiderueshme nga forcimi i lekut. Krahasuar me një vit më parë, monedha vendase është mbiçuar me rreth 8% në kursin e këmbimit me euron.