Një i ri ka humbur jetën dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur në Napoli, nga të shtënat me armë gjatë festimeve për fitoren e titullit kampion i Seria A.
26-vjeçari Vincenzo Cospito, mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli. I riu nuk mundi që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Dinamika e asaj që ka ndodhur është ende duke u hetuar. Ndërkohë tre persona të tjerë, një grua 26-vjeçare dhe dy të rinj të moshës 24 dhe 20 vjeç, mbetën të plagosur, sërish nga të shtënat me armë, por janë jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit më të shumtë erdhën nga shpërthimi i fishekzjarreve, teksa kanë marrë ndihmë mjekësore.
Pas 33 vitesh Napoli është shpallur zyrtarisht kampion i Seria A në Itali pas barazimit 1-1 me Udinesen. Me barazimin ndaj Udineses, Napoli ndodhet në kuotën e 80 pikëve, 16 më shumë se Lazio e vendit të dytë, duke e bërë të sigurt fitoren e titullit.