MENU
klinika

Analiza

Fitorja e Erdogan do të ishte humbje për Perëndimin

04.05.2023 - 19:54

A ka një preferencë perëndimore për fituesin, ndërsa Turqia po i afrohet një pike të madhe kthese më 14 maj? A do të preferonin Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, që presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan të qëndrojë në pushtet, apo duan më në fund të shohin një ndryshim në Ankara?

Opinioni publik turk i prirur ndaj konspiracioneve, është shpesh i fiksuar pas forcave të jashtme që synojnë të diktojnë fatin e vendit. Natyrisht, është në dorën e turqve që ta bëjnë këtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Por për shkak se Erdogan është një mjeshtër i taktikave në përdorimin në favor të tij të një ndjenje të tillë të brendshme antiperëndimore, në Perëndim, dhe veçanërisht në Uashington, ka një sjellje shumë të matur për të mos marrë anë, përtej deklaratave që kujtojnë rëndësinë e zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme”.

Megjithatë, nën sipërfaqe duket se ekziston çuditërisht një preferencë perëndimore e pashprehur dhe shumë egoiste. Dhe fatkeqësisht, ajo është e gabuar. Normalisht, tendenca autokratike në Turqinë e Erdoganit, së bashku me një politikë të jashtme që po e bllokon anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe që mban Rusinë e Putinit si një partnere kryesore ekonomike dhe ushtarake, duhet t’i thjeshtëzojë gjërat për Perëndimin.

Megjithatë, panorama bëhet më e errët nëse gërmon pak më thellë. Për shembull, në Uashington dominon ideja e Ankara e post-Erdogan, nuk do të jetë në thelb e ndryshme në politikën e jashtme, dhe se ndryshimi i vogël do të jetë më shumë në stil sesa në thelbin e sistemit.

Po ashtu, është popullor supozimi është se dy problemet themelore në axhendën turko-amerikane – kryesisht zhgënjimi i Ankarasë me mbështetjen e SHBA-së për kurdët sirianë dhe zhgënjimi i Uashingtonit me blerjen nga Turqia të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 – nuk ka të ngjarë të zhduken me një fitore të opozitës.

Ngjashëm, nëse Erdogan humbet në zgjedhje, askush nuk pret një largim radikal nga pozicionet aktuale të Turqisë në Qipro, Mesdheun Lindor apo Detin Egje. Nacionalizmi turk dhe kërkimi për një autonomi dhe pavarësi strategjike, ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë vektorët shtytës kryesorë të politikës së jashtme turke.

Po ç’mund të thuhet për pritshmëritë e opozitës turke dhe Lindjen e Mesme? Ironikisht, nën drejtimin e Erdoganit ndodhi një kthesë e madhe gjatë 2 viteve të fundit. Duke pasur parasysh gjendjen e mjerueshme të ekonomisë turke, nevoja e dëshpëruar e Erdoganit për para, ka sjellë një ndryshim të madh në marrëdhëniet e Turqisë me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo qasje, kërkon rishikimin e mbështetjes së Turqisë për Vëllazërinë Myslimane, e cila nga ana tjetër ndihmoi në përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe Egjiptin. Një rikalibrim i tillë i shpejtë në politikën e jashtme turke, e forcoi ndoshta imazhin e Erdoganit në Perëndim si një oportunist pragmatik dhe jo një ideolog islamik.

Ndaj nuk është çudi që një ish-ambasador amerikan në Ankara, që ka një histori të gjatë marrëdhëniesh me Erdoganin, nuk e kishte aspak problem të shprehte preferencën e tij për të si “Djallin që e njohim”.

Sot, me shpresën e riatdhesimit të disa nga 4 milionë refugjatët sirianë që ndodhen në Turqi, Erdogan po kërkon madje normalizimin e raporteve me Sirinë e Bashar Al-Asad, një regjim të cilin vetëm disa vjet më parë ai po përpiqej që ta rrëzonte. Çështja e refugjatëve sirianë, na sjell tek qëndrimet e Evropës ndaj Erdogan.

Normalisht, Franca, Gjermania dhe Italia, si dhe vende të tjera evropiane, si Greqia dhe Qiproja, të cilët janë shpesh viktimë e gjuhës luftarake të Erdogan, duhet të jenë në parim pro ndryshimit të pushtetit në Ankara. Megjithatë, në Francë dhe Gjermani ka njëfarë shqetësimi, se një qeveri e re turke nën udhëheqjen e Kemal Kiliçdaroglu do të dëshirojë të rishikojë paktin e refugjatëve të vitit 2016 të nënshkruar midis Ankarasë dhe Brukselit.

Në atë kohë Brukseli ofroi 6 miliardë euro, që Ankaraja t’i mbante vetë refugjatë sirianë dhe të mos i lejonte të zhvendoseshin drejt vendeve të unionit. Dhe po në atë kohë, Kiliçdaroglu, kreu i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP), laike dhe socialdemokrate, e kundërshtoi me forcë këtë marrëveshje. Sot, Kilicdaroglu kandidon kundër Erdoganit si kandidati i përbashkët i një koalicioni të 6 partive politike, përfshirë një forcë politike nacionaliste ekstremiste.

Platforma e fushatës së kësaj “Aleance Kombëtare”, është e përkushtuar në përmirësimin e marrëdhënieve me BE-në, por gjithashtu synon që të ri-negociojë marrëveshjen e refugjatëve, bazuar në atë Kiliçdaroglu e quan qasja “Turqia në plan të parë”.

A është Evropa gati të afrohet me një Turqi post-Erdogan, e cila dëshiron marrëdhënie më të mira në kërkim të anëtarësimit të plotë, si dhe një marrëveshje të re për refugjatët, e cila mbron më mirë interesat kombëtare turke? Përgjigjja është “jo”. As Franca dhe as Gjermania nuk janë dakord të nisin bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE, një proces i lënë në harresë prej kohësh.

Dhe sigurisht që nuk ka ndonjë vullnet për të pranuar më shumë refugjatë në Evropë. Prandaj mund të jetë më e lehtë të merresh vesh në një raport transaksional me një nacionalist plot huqe si Erdogan, i cili ka djegur shumë ura bashkëpunimi me Brukselin, dhe që është “Djalli” që ata e njohin.

Dhe një autokrat zemërak me një “kostum” jo demokratik në trupin e tij, është shumë më i lehtë për t’u refuzuar sesa një Turqi demokratike, e cila kërkon që të ringjallë vokacionin e saj evropian.

Unë u befasova gjatë një vizite të fundit që bëra në Athinë, kur pashë se struktura e politikës së jashtme greke, dukej krejtësisht e lumtur me perspektivën e fitores së Erdoganit në zgjedhjet e afërta, bazuar tek perspektivë thjesht realpolitike dhe cinike.

Pozicioni aktual i Greqisë, mund të shpjegohet me faktin se një Erdogan autokrat, dhe me një sjellje të paparashikueshme, që kërcënon vazhdimisht fqinjët në Mesdheun Lindor dhe Egje, krijon një simpati ndaj Athinës në Perëndim.

Nuk është rastësi që marrëdhëniet greko-amerikane, janë aktualisht në kulmin e të gjitha kohërave, pjesërisht për shkak të pabesueshmërisë së Turqisë si një partnere e NATO-s. Pas 20 vitesh marrëdhënie me të, për Greqinë Erdogan është vërtet “Djalli” që ata njohin, në një vend ku nuk shohin “Engjëj”.

Por perspektiva të tilla për Erdoganin janë dritëshkurtra dhe të rrezikshme. Ekzistojnë të paktën 2 probleme kryesore me konsiderimin e Erdoganit si e keqja të cilën Perëndimi e njeh tashmë. E para është rasti për t’i dhënë një shans demokracisë në këto zgjedhje. Autokratë si Putin dhe Erdogan janë gati gjithnjë të prirur të ndërhyjnë brutalisht në politikën e jashtme të vendit të tyre dhe me vendime të këqija.

A dëshiron vërtet Greqia të rrezikojë luftën me një fqinj gjithnjë e më të fuqishëm dhe tiranik? A preferon vërtet Uashingtoni një Turqi represive dhe luftarake, ndaj asaj alternative që kërkon një zgjidhje demokratike të problemit të saj me kurdët?

Dhe a mendon vërtet Evropa se një Turqi autokratike, së cilës mund t’i thotë me lehtësi jo, është një alternativë më e mirë sesa një Ankara demokratizuese, që në mënyrë të pashmangshme do të bëhet më pro BE-së dhe kundër Rusisë?

Arsyeja e dytë pse Kiliçdaroglu meriton një shans më 14 maj, është sepse zgjidhja nuk është midis engjëjve dhe djajve. Siç u argumentua në rastin e zgjedhjeve në Brazil midis Lulës dhe Bolsonaros, Kiliçdaroglu nuk është dera drejt Parajsës. Ai është dera nga ku dilet prej Ferrit.

Omer Taspinar, profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.