MENU
klinika

Manovrat 3 orë në det të hapur përballë me grekët!

Flet Artur Meçollari: Të pathënat e ngjarjes së 16 shtatorit ’94

20.05.2023 - 14:14

Flet kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandant i Forcës Detare

Ju rrëfej manovrat tri orë në det të hapur përball me anijet greke që ishin futur në ujërat shqiptare

Kush është Kapiten i rangut të parë Artur Meçollari, Ish-zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare?

Kapiten i rangut të parë (Ret) Artur Meçollari është diplomuar nga Akademia e Detarisë në Vlorë (1989), Kolegji i Shtabit Detar (1998), Kolegji i Shtabit të Përgjithshëm (2001) dhe Kolegji i Luftës (2003)në SHBA, si dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (2010) në Tiranë. Ai është titulluar oficer në vitin 1989 dhe në 31 vjet shërbim ka shërbyer gjithashtu në detyrat e komandantit të Grupit Luftarak, oficer shtabi në SHP të FA, pedagog në Akademinë e Detarisë dhe Akademinë e Mbrojtjes, shef i Shtabit të Distriktit Detar, komandant i Flotiljes Detare, drejtor i Inspektimit në MM, zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare. Ai gjithashtu ka shërbyer për një vit në misionin “NATO Resolute Support Mission” në Kabul, Afganistan. Në vitin 2018, kapiten Meçollari ka qenë anëtar i grupit negociator për kufizimin e hapësirave detare me Greqinë

Ka qenë 16 shtatori i vitit 1994, kur në kulmin e tensionit diplomatik dhe ushtarak midis Shqipërisë dhe Greqisë,

ka ndodhur një incident i rëndë detar midis Flotës tonë dhe asaj greke në Kanalin e Kurfuzit. Ishte kjo një ngjarje e rëndë që vetëm për pak përshkallëzoi një konflikt ndërmjet dy shteteve tona. I njohur si incidenti i tretë i Kanalit të Korfuzit, përballja në det në atë shtator të largët nuk u zbardh asnjëherë për opinionin shqiptar.
Tensionet ndërmjet dy shteteve kishin nisur menjëherë pas sulmit në Pikën Kufitare të Peshkëpisë, në 10 prill 1994 ku mbetën të vrarë kapiten Fatmir Shehu dhe ushtar Arsen Gjini. Ndërkohë 18 prill 1994 u arrestuan pesë minoritarë për spiunazh dhe veprimtari antikombëtare në favor të Greqisë. Në 7 shtator 1994, ditën që gjykata shpalli vendimin për pesë minoritarët e arrestuar dhe i shpalli ata fajtor, tensioni midis dy shteteve arriti pikën kulminante.

Në Kanalin e Korfuzit më pare ka pasur edhe dy incidente të tjera detare. Në 15 maj 1946 ndërsa dy kryqëzor britanik, H.M.S. “Orion” dhe H.M.S. “Superb”, po kalonin në ujërat shqiptare në Kanalin e Korfuzit, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare hapi zjarr kundër tyre. Anijet britanike nuk u goditën, nuk u kundërpërgjigjën dhe nuk patri viktima. Në 22 tetor 1946, dy kryqëzorë dhe dy destrojerë britanikë (H.M.S. Mauritius, H.M.S. Saumarez, H.M.S. Volage dhe H.M.S. Leander), të cilët lundronin në formacion kolonë sipas drejtimit jug-veri, ranë në minë në ujërat shqiptare Kanalin e Korfuzit. Nga ky incident humbën jetën 44 detarë britanik dhe 45 të tjerë u plagosen. Ky indicet konsiderohet i pari i Luftës së Ftohtë dhe i pari i gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, gjyq të cilin Shqipëria e humbi.

Për herë të parë gazeta Panorama bënë publike historinë e incidentit të 16 shtatorit 1994 në Kanalin e Korfuzit, nëpërmjet rrëfimit ekskluziv me kapitenin e rangut të parë (Ret) Artur Meçollari, asokohe komandant i Gjuajtësit të Madh Detar F-322 “Vjosa”, anija flamurtare e Flotës Shqiptare e përfshirë direkt në atë incident.

Kapiten Meçollari, çfarë detyre keni pasur në vitin ’94 kur ndodhi incidenti i radhës në kanalin e Korfuzit dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo ngjarje?

Mbasi kisha shërbyer rreth katër vite në GJMD F-322 “Vjosa” në Pashaliman, në korrik 1993 jam emëruar komandant i tij. GJMD F-322 ishte një anije e specializuar në luftën kundërnëndetëse. Ai ishte prodhuar në ishBRSS në vitin 1953 dhe erdhi në Shqipëri në vitin 1958, duke shërbyer në Flotën Shqiptare deri në vitin 2012. Kam shërbyer komandant i GJMD F-322 deri në vitin 1997 kur u largova për studime në SHBA.
Mbas datës 11 shtator, deri ditën e incidentit, çdo natë kisha marrë urdhër të kryeja patrullim në Gjirin e Sarandës dhe ditën qëndroja në Gjirin e Panormës (Porto Palermo). Në datën 16 shtator, mbas përfundimit të patrullimit u urdhërova të merrja 20 detar që kishin përforcuar Bazën Detare të Sarandës dhe ti çoja në Pashaliman. Në datën 7 shtator 1994 nga Pashalimani kishin shkuar për përforcim 20 detarë në Bazën e Sarandës dhe mbrëmjen e asaj nate katër anije të Flotës bën minimim imitues të Gjirit të Sarandës. Të dy ushtritë ishin në gatishmëri nr. 1 dhe siç na instruktoheshim përditë pritej që ushtria greke të sulmonte Sarandën nga deti.

Anija luftarake GJMD F-322 po priste përpara Bazës Detare të Sarandës mbërritjen e detarëve të tjerë që do vinin me katër Rade A-451. Ishte ora rreth 08:30. Sapo Katri i Radës la bazën, GJMD F-322 identifikoi në drejtim të jugut një anije luftarake greke që kishte hyrë në ujërat shqiptare dhe po lundronte drejt tij. I komunikova anijes greke disa herë në radio se “kishte hyrë në ujërat shqiptare dhe duhet të dilte menjëherë”. Duke mos pasur një përgjigje fillova lëvizjen drejt saj me kurs të kundërt. Kur anijet gjendeshin diku në mes të gjirin, me kurs takimi dhe distancë shumë të vogël, anije ushtarake greke u kthye në kurs të kundërt, drejt zonës më të ngushtë të kanalit. Unë vijova ndjekjen dhe për 30-35 minuta u gjenda në ujërat greke përball Ksamilit duke vijuar ndjekjen më tej. Diku përball Pemës së Thatë u ktheva dhe hyra në ujërat shqiptare.

Ndërkohë, nga Porti i Korfuzit dolën dy katra silurues të Flotës Greke. Komandanti i Bazës së Sarandës kapiten i rangut të dytë Asllan Godo më dërgoi dy katra silurues në mbështetje. Pra ishim tre kundër tre. Por, momenti kur të gjashta anijet ishin të angazhuara, situata u tensionua papritur edhe më shumë. Me sa mbaj mend, kjo erdhi për shkak të perceptimit si një manovër agresive të një nga katrave silurues grek. Kjo zonë, që njihet si Shkëmbinjtë Sepra ka shumë pengesa lundrimore të nënujshme. Të dyja palët GJMD dhe anija patrulluese greke, i drejtuam topat kundër njëri-tjetrit. Kjo situatë për fat të mirë nuk shkoi deri në hapjen e zjarrit, pasi brenda një minute topat u kthyen në gjendjen e mëparshme (bash-kiç) dhe anijet në grup tresh nisën të lundrojnë paralel me njëratjetrën në ujërat respektive. Më pas, lundri vijojë deri afër Kepit të Qefalit. Mbas këtij momenti, anijet greke u kthyen drejt perëndimit dhe GJMD me dy katrat silurues në Bazën e Sarandës. Në mbrëmje vonë mbërrita bashkë me 20 detarët në Bazën Detare të Pashalimanit. Situata ishte përjetuar me shumë tension, veçanërisht momenti kur ishin drejtuar armët përball njëri-tjetrit. Ngjarja e paparalajmëruar kishte përkeqësuar dhe më tej marrëdhëniet diplomatike dhe ushtarake midis dy shteteve. Të dyja palët ishim të tensionura, por falë një vetëpërmbajtje nga të dy anët incidenti nuk kaloj në përdorimin e armëve dhe që mund të përshkallëzohej në një konflikt ushtarak midis dy shteteve. Incidenti në tërësinë e tij zgjati rreth 3 orë. Anija greke jo vetëm hyri thellë në ujërat shqiptare të Gjirit të Sarandës, por këtë e bëri në mënyrë demonstrative, ndërsa në gji gjendej një anije luftarake shqiptare.

A kishte të bënte minimi i Gjirit të Sarandës me situatën e krijuar në atë kohë me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë?

Gjiri i Sarandës në fakt nuk u minua. Më shumë u bë një demostrim stërvitor. Në datën 7 shtator, ditën e dënimit të pasur minoritarëve, dy ushtritë u vendosën në gatishmëri nr. 1. Gjithë ushtria shqiptare u vendos në regjim kazerme. Nga Durrësi erdhën në Pashaliman tre anije dhe u krijua një grup për minimin e Gjirit të Sarandës. Ne filluam përgatitjet, por më pas na thanë se do merrni mina mësimore dhe do bëni imitim minimi (mashtrim). Flitej se komandanti i Flotës kundëradmiral Muharrem Kuçana kishte bindur Presidentin Sali Berisha që mos të bëhej minim real, por imitim, pasi e kishim minuar një herë më parë (shënim. 19 shtator 1946 minimi i Kanalit të Korfuzit nga Jugosllavët me miratim të Qeverisë Shqiptare) dhe me shumë vështirësi e kishim çminuar (1958 çminimi I Kanalit të Korfuzit me një operacion të përbashkët midis Flotës Shqiptare dhe asaj Greke). Mbrëmjen e datës 7 shtator 1994 të katër anijet, një “Dragaminë e Madhe” (M-111 me komandant kapiten i rangut të tretë Petrit Salku), një “Gjuajtës i Madh Detar” (F-322 me komandant kapiten lejtnant Artur Meçollari) dhe dy dragamina të Vogla (M113 ne komandant kapiten i rangut të tretë Naldo Lagji dhe M-114 ne komandant Lejtnant Petrit Cila) dolën nga Baza Detare e Pashalimanit dhe në mesnatë u futëm në Gjirin e Sarandës në formacion minimi, duke imituar një operacion minimi afërsisht nga Kepi i Qefalit deri te Kepi i Mërtesës. Komandant i grupit ishte kapiten i rangut të tretë Festim Gjika. Anijet në mëngjes u kthyen përsëri në Pashaliman. Anija luftarake GJMD F-322 në datën 11 shtator mori detyrë që gjatë ditës të qëndronte në Gjirin e Panormës (Porto Palermo) dhe natën të kryente patrullim dhe kontrollin e vijës me mina imagjinare në Gjirin e Sarandës.

Cilat ishin reagimet e autoriteteve dhe eprorëve tuaj të Flotës Luftarake menjëherë pas incidentit?

Ndërsa unë lundroja nga Saranda drejt Pashalimanit, mbrëmjen e datës 16 shtator 1994, siç më informuan, një stacion televiziv grek kishte transmetuar pamje filmike të GJMD F-322 në ujërat greke dhe incidentin e ndodhur duke e trajtuar si një provokacion të Shqipërisë. Sapo u ktheva në Pashaliman, natën vonë, me priste i gjithë shtabi i Bazës Detare të Vlorës për të kontrolluar veprimet e mia dhe hyrjen në ujërat greke. E pashë që situata nuk ishte në favorin tim. Duhej një fajtor për provokacionin e deklaruar nga pala greke. Atë mbrëmje u ula me komandantin e Bazës Detare kapiten i rangut të dytë Astri Muho. I shpjegova situatën dhe i thash qartë “unë nuk kërkoj dekorim, siç bënë grekët me pilotin që hodhi fletushka në Gjirokastër, por nuk kam pse të ndëshkohem, kur ata shkelën ujërat të parët”. Ai foli me kundëradmiral Kuçanën dhe gjetën një zgjidhje teknike.

Do ndryshonim ditarin e anijes që mos të figuronte që anija GJMD F-322 kishte hyrë në ujërat greke. Dhe kështu u bë. Unë i shpëtova ndëshkimit fal dy komandantëve të mi. Në fakt për këtë incident nuk ka dokumente zyrtare dhe gjithçka është rindërtuar mbi bazën e kujtimeve të mia dhe kolegëve të mi.

Ju në një material tjetër keni treguar se gjatë kësaj periudhe, në Gjirin e Panormës, keni takuar edhe ish-ministrin e Jashtëm Alfred Sereqi. Në çfarë rrethana dhe përse?

Një nga ditët e qëndrimit në Gjirin e Panormës bëri një vizitë Ministri i Punëve të Jashtme Alfred Sereqi. Vizita e tij nuk kishte lidhje me situatën. Ai shoqëronte për një vizitë në jug të Shqipërisë disa të afërm të tij që kishin ardhur ta vizitonin nga Kanadaja. Unë dhe oficerët e anije e takuam për rreth një orë, por biseda nuk u fokusua te siftata me Greqinë. MPJ Sereqi nuk dukej shumë i shqetësuar për atë çfarë kishte ndodhur në Kanalin e Korfuzit.

Shqipëria dhe Greqia asokohe, por edhe sot nuk i kanë të përcaktuar kufijtë detarë. Si e dallonit gjatë këtij incidenti nëse gjendeshit në ujërat shqiptare apo greke?

Shqipëria dhe Greqia nuk kanë pasur asnjëherë kufijtë detarë të ndarë, përveç rreth 500 m në Gjirin e Ftelias me Protokollin e Firences së vitit 1925. Në mungesën e një vije kufitare, vlerësimi bëhet hap pas hapi mbi vijën e mesme gjeografike. Ky është një vlerësim operacional për tu siguruar që vendndodhja gjendet në hapësirë detare të duhur. Mbas incidentit të dytë të Kanalit të Korfuzit, në dhjetor 1946 Qeveria e Shqipërisë përcaktoi në mënyrë të njëanshme kufirin detar në Kanalin e Korfuzit. Kufiri i njëanshëm i 1946 është më i keq për Shqipërinë se ai i marrëveshjes së 2009 të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai nuk ishte i detyrueshëm për palën greke, por gjatë periudhës komuniste respektohej nga anijet shqiptare. Gjatë asaj periudhe anijet ushtarake shqiptare, deri nga viti 1992, nuk lejoheshin të lundronin në Kanalin e Korfuzit, në jug të Gjirit të Sarandës. Kjo ishte një masë parandaluese për të shmangur incidentet ushtarake midis dy vendeve. Mbas 1992 vendimi i 1946 nuk kishte më fuqi. Sot anijet ushtarake patrullojnë periodikisht deri në Gjirin e Ftelias.

Cilat kanë qenë arsyet që kjo ngjarje nuk është regjistruar në arkivat e Flotës?

Në rastin e incidenteve detare, si ky, ditari i anijes të përfshirë është burimi kryesor i informacionit, pasi ai paraqet lundimin dhe vendndodhjen e anijes, si dhe veprimet e tjera të kryera. Ka dhe burime të tjera, por ato janë anësore dhe mbushin informacionin kryesor. Siç u shpreha edhe më lartë, komandanti i Flotës kundëradmiral Kuçana dhe Komandanti i Bazës së Vlorës kapiten Muho vendosën që unë të ndryshoja ditarin e anijes, me qëllim mbrojtjen time.

Pra, në arkivin e Flotës ka dokumente, të cilët tregojnë element të vërtetë të incidentit si: hyrja e anijes greke në ujërat shqiptare, identifikimi i saj, lëvizja drejt saj, marrja e mbështetjes me dy katra silurues, etj. Por, këto dokumente arkivore nuk provojnë dinamikën kur anija GJM F-322 hyri në ujërat greke, si dhe nivelin e kërcënimit të arritur midis dy palëve. Dokumentet tregojnë një pjesë të situatës, por jo një pamje të plotë. Ky ishte një vendim i eprorëve të mi, që unë besoj nga rrethanat e krijuara, ndoshta presionit politik për të gjetur një fajtor, vendosën ta zgjidhnin pa përplasje. I kam falënderuar dhe më parë, e i falënderoj edhe sot. Si ishdrejtues i Flotës, i mirëkuptoj se nuk ishte e lehtë në atë kohë të krijoje përplasje me politikën. Vetëm disa vite më vonë ushtarak madhor të Flotës për moszbatimin e urdhrave arbitrare politike ju është dhënë masë disiplinore në dhoma izolimi, ose dhe më keq. Unë vet jam liruar dy here nga ushtria për moslejimin e tjetërsimit të pronave të Flotës. Përplasja e ushtarakut me politikën gjithmonë ka pasoja. Shmangia është zgjidhja më e mirë. Por, dhe kur është e pamundur, e rëndësishme është të ruhet institucioni dhe njerëzit.

Kur keni qenë drejtues i Flotës jeni takuar me homolog grek. U ka qëlluar të flisni për këtë incident?

Në periudha të ndryshme Flota ka pasur vizita reciproke me Flotën Greke, apo takime në forume ndërkombëtare detare. Asnjëherë, unë personalisht nuk kam pasur diskutime për këtë çështje. Ky incident nuk ka qenë kurrë objekt bisedash ndërmjet homologësh. Ndoshta edhe për faktin që nuk ka qenë i njohur nga publik. Sakaq, edhe në Flotën tonë lidhur me këtë incident kanë pasur dijeni kryesisht vetëm personat të cilët kanë qenë ekuipazh i anijeve dhe disa nivele të larta komandimi në tokë. Ndërkohë edhe nëse dikush ka ditur diçka për përfshirjen e GJMD F-322 në incident, nuk kishte nga ta dinte se komandant i tij isha unë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deti në Hagë/ Nga Ish zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari

Gjykata do marrë një nga këto tre vendime të mundshme (dhe faktorët që do ndikojnë)