MENU
klinika

Lufta civile në Sudan

Gjeneralët e ushtrive vijojnë sulmet e ashpra

07.05.2023 - 12:08

Përfaqësues nga ushtritë ndërluftuese të Sudanit kanë mbërritur në Arabinë Saudite për negociatat e tyre të para ballë për ballë. Bisedimet para negociatave midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) do të fillonin të shtunën në Jeddah. Ato sponsorizohen nga SHBA dhe Arabia Saudite.

Të dyja palët kanë thënë se do të diskutojnë një armëpushim humanitar, por jo një fund të konfliktit. Nuk ka asnjë të dhënë deri më tani nëse takimi është zhvilluar apo kush janë përfaqësuesit nga të dyja palët. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Faisal bin Farhan i mirëpriti përfaqësuesit nga të dyja palët. Ai tha se shpresonte se bisedimet do të çonin në përfundimin e konfliktit dhe kthimin e sigurisë dhe stabilitetit në Republikën e Sudanit.

Gjenerali Mohamed Hamdan Daglo, i cili drejton RSF-në, tha në Twitter se grupi vlerësoi të gjitha përpjekjet për të vendosur një armëpushim dhe për t’i ofruar ndihmë popullit sudanez. Ai këmbënguli gjithashtu se RSF ishte e përkushtuar ndaj kalimit në një qeveri të udhëhequr nga civilët, shkruan BBC.

Gjenerali Daglo, i njohur më mirë si Hemedti, është i përfshirë në një luftë të ashpër për pushtet me komandantin e ushtrisë sudane, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan – presidenti de fakto i vendit. Bisedimet e së shtunës vijnë mes raporteve për përleshje të vazhdueshme në kryeqytetin sudanez, Khartoum. Qindra njerëz janë vrarë dhe rreth 450,000 civilë janë zhvendosur që nga fillimi i luftimeve. Nga ai total, thotë Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, më shumë se 115,000 kanë kërkuar strehim në vendet fqinje