Gjykata e Lartë ka rrëzuar sërish sot kërkesën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën duke lënë në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO.
Po ashtu në fuqi është lënë dhe vendimi për sekuestrimin e vilës së ish-bashkëshortes së Ahmetajt në Palasë.
Ish-ministri Arben Ahmetaj është vënë nën hetim nga Prokuroria e posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se SPAK ka ngritur 3 akuza kundërt Ahmetajt, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Hetimi ndaj tij është nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Dosja me 21 persona të akuzuar ka shkuar tashmë për gjykim. Por më parë është veçuar një fraksion i saj, ku bëhet fjalë pikërisht për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.