Edhe dy ditë na ndajnë nga kurorëzimi i kampionit në ligën gjermane për sezonin 2022- 2023.
Edhe pse armata e Bajerni i dha sinjalet e qarta që në javët e para, duke vendosur rekord golash, oshilacionet e ndryshme bënë që figura e kampionit të venitej, aq sa të krijonin edhe një “profil të rremë” se kriza kishte hedhur rrënjë në Mynih, marrë në konsideratë ecurinë fantastike në Ligën e Kampionëve.
Pas javës së 33-të në kampionatin vendës, Dortmundi e nuhat më pranë se kurrë aromën e titull pas 11 vitesh mungesë. Por të besuarit e Tuhelit e kanë një shans se si mund t’ia dalin të përmbysin renditjen aktuale. Nëse Mainc mposht verdhezinjtë në udhëtim apo u merr barazim, e kombinuar me suksesin e rekordmenëve në transfertën e Këlnit, titulli do të ndryshonte destinacion. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga rokadat e mëdha në javën finale të Bundesligës, aty ku janë kapluar edhe këto dy kampe.
SEZONI 1965-1966: Dortmundi e kishte prekur me një dorë trofeun dhe fitorja apo barazimi i nevojiteshin për të siguruar titullin, ndonëse mbeti si hipotezë pas 90 minutave finale. “Shqiponjat” e Frankfurtit u treguan të pamëshirshëm me rivalët e Bajernit, duke i shkatërruar me rezultatin e thellë 4-1, e kësisoj shërbeu si asist në radhët e Mynihut më 1860, të cilët e ngritën kupën në shtëpi me rezultatin e barabartë krahas Hamburgut.
SEZONI 1970-1971: Gjatë kësaj periudhe duket se “pllaka” u kthye kundra rekordmenëve. Jup Hajkens në pozitën e timonierit te “mëzat” korri fitore të rëndësishme ne udhëtimin ndaj Frankfurtit, por “drama” u shkrua në takimin Duisburg-Bajern Mynih. Bavarezëve u mjaftonte 1 pikë për t’i mbyllur llogaritë, megjithatë vendësit shkaktuan surprizën me fitoren 2-0, e cila nënkuptoi zhvendosjen e titullit drejt M’Gladbahut.
SEZONI 1977-1978: Epokë kur Borusia Mynshengladbah bënte “ligjin” në kampionatin gjerman, aq sa arriti të shënonte fitore të jashtëzakonshme karshi Dortmundit në javën vendimtare, e përkthyer me shifrat 12-0. Ama jo e mjaftueshme për të kaluar Këlnit në krye. Këta të fundit e morën “kurorën” me golavarazhin +3, të ndihmuar me “manitën” përballë St Paul.
SEZONI 1985-1986: Verder Bremen kishte shansin e artë të thyente “dinastinë” e Bajernit dhe M’Gladbah në këtë etapë, çka do të thoshte se misioni kalonte përmes Shtutgartit. Paraprakisht Bajerni i kishte hipotekuara 3 pikët dhe një ndalesë nga Verderi, pra humbja do t’i ngjiste në majë të tabelës me pikë të barabarta. Skena në fjalë rezultoi e saktë, ekipi nga Bremen doli kokulur në Shtutgart dhe me golavarazh më të dobët se gjigantët nga Mynihu ndikoi në pozicionimin final.
SEZONI 1991-1992: Konsiderohet si hera e parë në ligën gjermane, ku tri ekipe “luftojnë” dhëmbë për dhëmbë me njeri-tjetrin deri në xhiron e fundit. Triumfi i Frankfurtit në Hansa Rostok u garantonte vendin e parë, ndërsa Shtutgarti gjendej i varur nga shifrat e “shqiponjave”, sikurse Dortmundit. Shtutgarti u kurorëzua me të njëjtën kuotë me verdhezinjtë, por me golavarazh më të lartë. Frankfurti ra në Rostok.
SEZONI 1994-1995: Qyteti i Bremenit u përgatit për festën e titullit, aty ku Bajerni larg kreut u mendua se do t’ia falte fitoren Verderit. Si përfundim, mbetën thjesht aludime, pasi egoja e rekordmenëve ra dhe u krijuan kushtet e përshtatshme rivalëve të përbetuar të Dortmundit të festonin me 1 pikë diferencë.
SEZONI 1999-2000: Klubi më i titulluar në Gjermani “ia mori në kthesë” kreun “aspirinave”, të ndihmuar nga suksesi befasues i Underhaking në shtëpi karshi Leverkusenit 2- 0, ku numri i rrjetave rezultoi përcaktues.
SEZONI 2000-2001: Shalke përjetoi emocione të ndryshme në fund të periudhës 2000- 2001. “Blutë mbretërorë” ishin sy e veshë nga dueli Hamburg-Bajern, ku vendësin kryesonin deri në minutën e 93-të, por që në sekondat e fundit të besuarit e Otmar Hicfel i dhanë të tjera ngjyra panoramës. Goditja e saktë e mbrojtësit Anderson skaliti numrin 16 të trofeve në kampionat te “diktatorët” e dekadës së fundit.