Kreu i PSD-së, Tom Doshi ka folur për herë të parë për zgjedhjet e 14 majit. Në një intervistë në ‘Top Story’ ai ka folur edhe për aleancën me PS-në në bashkinë e Shkodrës. Ai pranon se ishin votat e tij që i dhanë fitoren kandidatit të PS-së, Benet Beci.
“Pa PSD-në, Benet Beci nuk fitonte. Pra, janë votat e mia. Edhe në 2005-ën, në mazhoritar jam deputeti më i votuar në një zonë të djathtë me vetëm 18% elektorat të majtë.
Dhe këtu i dhemb Berishës sepse i kam marrë elektoratin e djathtë. Edhe kësaj radhe jam rritur me 3 mijë vota në vetëm në bashkinë e Shkodrës. Janë pjesa e djathtë që kanë ardhur tek unë sepse nuk besojnë më tek Berisha, nuk besojnë më tek Basha. Lul Basha shkon e bën takime nëpër hyrje pallati me Taulant Ballën, ça me i besu atij? E kanë shit partinë e tyre.
Ai (Berisha) më thotë mua se nuk kam dalë të bëj fushatë. Unë fushatën e kamë bërë me rrjetet sociale. E kam bërë me Instagram, e kam bërë me tiktok, e kam bërë me Facebook… Ai bën mitingje. Ai kujton se bëhet fushata me mitingje” – tha Doshi.
Doshi deklaroi se nuk i mungonte parlamenti pas lënies së mandatit menjëherë sapo e fitoi atë në zgjedhjet e 2021-it. Synimi sipas tij është që në zgjedhjet e 2015-ës, PSD të marrë 5 deputetë, nga të cilët 3 në Shkodër dhe 2 në Tiranë.
“Ligjërisht nuk më pengon që unë të kandidoj prapë për deputet, por gjatë kësaj kohe nuk më mungon parlamenti sepse jam shumë i ngarkuar me partinë. Më mirë madje që e kam lënë mandatin. Ndihem më mirë sepse gjithë ditën pres e përcjell njerëz prej tërë Shqipërisë. Po të isha në parlamenti nuk do e kisha gjithë këtë kohë për me iu përgjigj njerëzve” – tha Doshi.