MENU
klinika

Shpallet në kërkim

Kërcënoi mbështetësit e PS, Policia e Pukës identifikon të riun

06.05.2023 - 10:00

Një 26 vjeçar nga Tirana është shpallur në kërkim nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, pasi pak minuta pas mesnate ka qëlluar me armë zjarri në ajër në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz. Shtetasi me iniciale K.P është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Ndërkohë, kryebashkiaku Gjon Gjonaj ka akuzuar këtë të shtunë kundërshtarin, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rrok Dodaj, se qëndron pas këtyre të shtënave. Sipas kryebashkiakut socialist të Pukës, njerëzit e Dodaj nga Tirana kanë kërcënuar dje mbështetësit e PS dhe kanë qëlluar me armë në ajër.

 

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.