Të gjitha sondazhet e publikuara në javën e fundit të fushatës, japin një avancim të përgjithshëm të mazhorancës në shumicën e bashkive. Ndërkaq, një tjetër e dhënë e tyre është rritja e lehtë e koalicionit të Berisha-Metës, e ulja po aq e lehtë e Partisë Demokratike zyrtare të Enkelejt Alibeajt.
E duke u nisur nga kjo pozitë, mbështetësit mediatikë të Berishës kanë nisur të bombardojnë me artilerinë e rëndë Alibeajn, Lulzim Bashën e Roland Bejkos, që duket se do rritet edhe më shumë deri në fundjavë.
Synimi është i qartë, që të mos lejojë në asnjë mënyrë që në këshillat bashkiake të vendit të shfaqet një opozitë e re, e cila është dukshëm anti-Berisha. Pjesa e partive të vogla opozitare, si Dash Shehi e Agron Duka, edhe pse nuk u bashkuan me Berishën e Metës në koalicion, në daljet televizive janë mbështetës së fortë të kandidatëve të foltores. E kjo taktikë, natyrisht që mund t’i lërë thatë ata në këshillat bashkiake.
Por konfigurimi i një opozite të re në çdo bashki, është një shans mjaft pozitiv për të ngritur nga e para PD-në pas 14 majit. Shifrat e sondazheve i japin PD-së zyrtare nga 5-9%. Një shifër që është brenda marzhit të gabimit, e ka gjasa që leximi real nuk mund të lexohet aq kollaj nga sondazhet. Të cilët në përgjithësi nuk i perceptojnë partitë e vogla apo realitetet lokale.
Gjithsesi, ajo që duket nga fotografia që sjellin thuajse të gjithë sondazhet, shihet qartë se strukturat e Partisë Demokratike janë “gjallë” thuajse në 61 bashkitë e vendit, edhe pse partia e tyre i ka lënë thatë duke mos vendosur kandidatë për kryetarë në shumicën e tyre. Nëse do të kishte kandidatë, sipas të gjitha gjasave tërheqja e votave nga pjeseëtarët e strukturave do të ishte më e lehtë dhe mund të kishim një realitet krejt tjetër.
Nëse sondazhen konfirmohen, pra që PD e Alibeajt do të ketë rezultat edhe pse modest por thuajse të njëjtë në të gjitha bashkitë, atëherë është e qartë se strukturat lokale të saj nuk janë shkrirë dhe funksionojnë. Ndërkaq, do të kemi një realitet politik krejt tjetër në bashkitë ku BF-ja nuk do të arrijë të fitojë postin e kryetarit.
Anëtarët e këshillave bashkiake të saj, në shumicën e tyre dominohen nga Ilir Meta, i cili natyrisht do t’i përdorë për të instaluar strukturat lokale të Partisë së Lirisë, të cilat janë shkërmoqur më 25 prill 2021. E ka shumë gjasa, që PD-ja edhe pse me pak anëtarë të marrë fuqinë morale dhe politike të opozitës ndaj pushtetit. Ndaj dhe shpjegohet agresioni me muicion të shtuar orët e fundit.
Megjithatë, gjasat janë që të mos ndikojnë, pasi ato pak vota që merr PD_ja nuk vijnë nga komuniteti i jashtëm i votuesve të rregullt të së djathtës, por nga kundërshtarët tashmë të bindur e të konsoliduar të dyshes Meta-Berisha brenda opozitës. E duke qenë edhe të organizuar në strukturat kapitale të PD-së, rritjen do ta kenë më të lehtë në shikimin kah zgjedhjet parlamentare të 2025. Plus që sipas gjasave do të ketë edhe zhvillime të tjera.