Në Muzeun e Arkeologjisë u organizua konferenca shkencore “Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”, nismë e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – ICOM Shqipëria dhe e Institutit të Arkeologjisë (ASA).
Organizatorët arritën të bëjnë bashkë kërkues shkencorë, profesionistë e specialistë të muzeve dhe individë aktivë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore muzeale. Temat që u trajtuan në konferencë kanë të bëjnë me kuadrin ligjor për muzetë në Shqipëri, rolin e muzeve në shoqërinë moderne, kultivimin e trashëgimisë në zemër të komunitetit, rreziqet, trafikimin, masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e deri te “muzeu i gruas” si një alternativë në shoqërinë bashkëkohore.
Përballë një audience kryesisht me studentë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë, ligjëruan arkeologë, antropologë e koleksionistë: Edlira Andoni, Sabina Veseli, Belisa Muka, Melsi Labi, Ermela Broci, Dorian Koçi, Aurora Kamberi, Dorina Xheraj-Subashi dhe Elsa Ballauri.
Një vend i veçantë iu kushtua promovimit në gjuhën shqipe të dokumentit “Lista e kuqe e objekteve kulturore të Evropës Juglindore në rrezik”. Ky dokument u prezantua fillimisht nga ICOM në gjuhën angleze dhe të gjitha komitetet kombëtare të ICOM në Ballkan, ashtu si dhe Shqipëria, të cilat janë duke e përkthyer këtë dokument në gjuhët e tyre.
Shqipëria është vendi i tretë në Ballkan që po e promovon dokumentin në gjuhën e saj amtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Këto manuale praktike paraqesin kategoritë e objekteve kulturore që potencialisht mund t’i nënshtrohen vjedhjes dhe trafikimit. Janë hartuar nga muzetë dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore të ICOM që të ndihmojnë institucionet e trashëgimisë kulturore, organizatat, ligjzbatuesit, veçanërisht punonjësit e policisë e të doganave, të identifikojnë objektet që janë në rrezik për vjedhje dhe të parandalojnë shitjen dhe trafikimin e paligjshëm të tyre.